Shkup, 4 gusht, Zhurnal.mk – Drejtoria e Policisë Financiare ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër një personi fizik, pronar dhe menaxher i një personi juridik, si dhe kundër vetë kompanisë, për shkak të dyshimeve për veprat penale “evazion fiskal” dhe “falsifikim ose shkatërrim i librave afaristë”.
Sipas Policisë Financiare, i dyshuari M.D., në cilësinë e pronarit dhe menaxherit të kompanisë, gjatë vitit 2021, përmes regjistrimeve fiktive kontabël, ka përvetësuar 7.040.484 denarë nga shitja e naftës dhe derivateve të naftës, pa llogaritur dhe pa paguar tatimin mbi të ardhurat personale në vlerë prej 782.198 denarësh.
Po ashtu, përmes regjistrimeve fiktive ka ulur rezervat, të hyrat dhe detyrimet për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), ndërsa ka rritur vlerën e furnizimit të mallrave të shitura. Sipas dyshimeve, në këtë mënyrë ka shmangur pagesën e TVSH-së në shumën prej 1.653.677 denarësh, tatimit mbi të ardhurat personale prej 782.198 denarësh dhe tatimit mbi fitimin prej 664.846 denarësh.
