Paga minimale në RMV ndër pagat që kanë pasur rritje të shpejtë në Evropë, tregojnë të dhënat e Eurostat‑it

Nga D. V.
657 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 gusht, Zhurnal.mk – Të dhënat e reja të Eurostat‑it për gjysmën e dytë të vitit 2026 tregojnë se vetëm tetë nga 29 vendet evropiane e kanë rritur pagën minimale bruto që nga janari, ndërsa inflacioni në eurozonë në të njëjtën periudhë ka qenë 3,2 për qind.

Paga minimale bruto më e lartë në Evropë në korrik e ka Luksemburgu me 2.771 euro, para Irlandës (2.391 euro), Gjermanisë (2.343 euro), Holandës (2.338 euro) dhe Belgjikës (2.234 euro). Franca vjen menjëherë pas tyre me 1.867 euro.

Në grupin e vendeve me pagë minimale ndërmjet 1.000 dhe 2.000 euro janë Sllovenia, Spanja, Lituania, Polonia, Qipro, Greqia, Portugalia dhe Kroacia.

Më shumë se gjysma e vendeve të analizuara kanë pagë minimale nën 1.000 euro. Shumat më të ulëta janë regjistruar në Ukrainë me 169 euro dhe Moldavi me 313 euro. Në Bashkimin Evropian, pagën minimale më të ulët e ka Bullgaria me 620 euro, ndërsa nga vendet kandidate paga më e lartë minimale është në Turqi (621 euro), Maqedoni (624 euro), Mal të Zi (670 euro) dhe Serbi (743 euro).

Kur pagat minimale krahasohen sipas fuqisë blerëse, renditja ndryshon dukshëm. Në vend të parë është Gjermania, para Luksemburgut, Holandës, Belgjikës dhe Irlandës.

Sipas këtij treguesi, Maqedonia me 1.142 njësi të fuqisë blerëse renditet para shtatë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, mes tyre Malta, Sllovakia, Hungaria dhe Çekia. Edhe Serbia renditet para disa vendeve të Unionit.

Nga janari deri në korrik 2026, Maqedonia ka shënuar rritjen më të madhe të pagës minimale ndër vendet e analizuara – 6,9 për qind. Pasojnë Rumania dhe Estonia me nga 6,8 për qind, Belgjika me 5,8 për qind, Greqia me 4,5 për qind, Luksemburgu me 2,5 për qind, Franca me 2,4 për qind dhe Holanda me 1,9 për qind.

Në vendet e tjera të përfshira në analizë, paga minimale ka mbetur e pandryshuar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër