GAP publikon indeksin e transparencës buxhetore, 10 komuna marrin pikët maksimale

Nga D. V.
488 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 4 gusht, Zhurnal.mk – Instituti GAP ka publikuar raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2025”, i cili vlerëson transparencën buxhetore në 38 komunat e Kosovës.

Sipas raportit, mesatarja e transparencës buxhetore në vitin 2025 ka arritur në 64.5 pikë, nga 61 pikë sa ishte një vit më parë.

Në total, 10 komuna kanë marrë 100 pikë, ndërsa 19 nga 38 komunat kanë arritur të paktën 89.5 pikë. Në anën tjetër, Kllokoti, Leposaviqi, Parteshi, Shtërpca, Zubin Potoku dhe Zveçani nuk kanë grumbulluar asnjë pikë.

Gjatë vitit 2025, komunat kanë publikuar gjithsej 240 dokumente buxhetore, prej të cilave 133 kanë qenë dokumente të raportimit financiar të buxhetit.

Në kuadër të planifikimit të buxhetit për vitin 2026, komunat kanë organizuar gjithsej 119 dëgjime buxhetore me qytetarët. Nga 38 komunat, 28 kanë organizuar së paku katër dëgjime, ndërsa komunat e tjera kanë zhvilluar nga një deri në tri dëgjime.

Sa i përket mënyrës së publikimit, 76 për qind e dokumenteve janë publikuar në formate të hapura dhe lehtësisht të përdorshme, kryesisht Excel dhe Word. Ndërkohë, 8 për qind janë publikuar në PDF dhe 16 për qind si dokumente të skanuara.

Dokumentet më të publikuara kanë qenë Korniza Afatmesme Buxhetore dhe Rregullorja për Ndarjen e Subvencioneve, të cilat janë publikuar nga 30 komuna. Po ashtu, 29 komuna kanë publikuar raportet financiare për tremujorin e parë dhe të dytë, ndërsa 28 kanë publikuar Raportin Vjetor Financiar për vitin 2025.

Në krahasim me vitin paraprak, Obiliqi ka shënuar rritjen më të madhe, me 60 pikë më shumë, pasuar nga Ferizaj me 52.5 pikë dhe Gjilani me 43.5 pikë.

Në anën tjetër, rënien më të madhe e kanë shënuar Vitia me 35 pikë më pak, Mitrovica e Veriut me 29 pikë dhe Lipjani me 15 pikë.

Instituti GAP vlerëson se rezultatet tregojnë përparim në transparencën buxhetore në nivel vendi, por thekson nevojën për standardizimin e formateve të publikimit dhe forcimin e mekanizmave të qëndrueshëm të llogaridhënies në të gjitha komunat.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër