Shkup, 5 gusht, Zhurnal.mk – Pavarësisht niveleve jashtëzakonisht të ulëta të ujërave në lumenjtë e mëdhenj evropianë, të cilat ndikojnë në prodhimin e energjisë elektrike në disa vende, sistemi elektroenergjetik i Maqedonisë mbetet stabil dhe aktualisht nuk ka rrezik për furnizimin vendor, informojnë nga Ministria e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para.
Nga Ministria theksojnë se po e ndjekin me kujdes situatën në rajon dhe në Evropë, ku lumenjtë Danub dhe Rajnë shënojnë nivele jashtëzakonisht të ulëta, gjë që reflektohet në prodhimin e energjisë elektrike në vendet përmes të cilave rrjedhin.
Siç theksojnë, në koordinim me AD ESM dhe AD MEPSO, rregullisht monitorohen parametrat hidrologjikë, rezervat e disponueshme dhe parashikimet, me qëllim që të reagojnë me kohë nëse ndryshojnë kushtet.
Sipas Ministrisë, akumulimet në vend aktualisht janë të mbushura rreth 70 për qind, gjë që mundëson prodhim të sigurt dhe të planifikuar të energjisë elektrike, ndërsa hidrocentralet vazhdojnë të sigurojnë shërbimet sistemore të domosdoshme për funksionimin stabil të rrjetit elektroenergjetik.
Pozitive janë edhe të dhënat për prodhimin vendor. Në maj të këtij viti në Maqedoni janë prodhuar 462.653 megavat‑orë energji elektrike, me çka janë mbuluar 96,5 për qind të konsumit të brendshëm. Njëkohësisht, prodhimi nga hidrocentralet është rritur për 76 për qind krahasuar me të njëjtin periudhë të vitit të kaluar, ndërsa te centralet e erës është regjistruar rritje prej rreth 10 për qind.
Nga Ministria vlerësojnë se këto rezultate janë pasojë e diversifikimit gradual të kapaciteteve prodhuese, përmirësimit të menaxhimit të akumulimeve dhe investimeve në burime të rinovueshme të energjisë. Në proces janë investime në kapacitete të reja prodhuese, modernizim të infrastrukturës elektroenergjetike, sisteme baterike për ruajtjen e energjisë elektrike dhe projekte që do ta rrisin fleksibilitetin e sistemit.
Në njoftim theksohet edhe rëndësia e lidhjes energjetike rajonale, ku si projekte kyçe veçohen interkonektori i gazit me Greqinë, përgatitjet për interkonektorin me Serbinë, si dhe kyçja e vendit në Korridorin Vertikal të Gazit, që pritet të forcojë më tej sigurinë e furnizimit me gaz natyror dhe rolin e Maqedonisë në rrjetin energjetik evropian.
