Tiranë, 5 gusht, Zhurnal.mk – Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, inspektoi sot në Lundër kompleksin e ri sportiv të Federatës Shqiptare të Padelit, ku fushat profesionale të përdorura gjatë turneut FIP Platinum në Tiranë janë shndërruar në një infrastrukturë të përhershme në shërbim të sportistëve, të rinjve dhe zhvillimit të padelit në Shqipëri.
Gonxhja e cilësoi kompleksin një shembull konkret të mënyrës se si aktivitetet sportive ndërkombëtare mund të lënë pas një trashëgimi të qëndrueshme dhe të krijojnë infrastrukturë të re për komunitetin sportiv.
“Ky është një projekt i ri, një mundësi tjetër për sportin, për të rinjtë, për të gjitha moshat”, u shpreh ministri, duke kujtuar suksesin e turneut FIP Platinum, i cili u zhvillua pak muaj më parë në qendër të Tiranës dhe tërhoqi rreth 20 mijë shikues vetëm në finalen e tij, ndërsa aktiviteti pati një audiencë të gjerë edhe online dhe në rrjetet sociale.
Sipas ministrit, turneu tregoi potencialin e padelit për të promovuar Shqipërinë dhe Tiranën si destinacion sportiv dhe turistik, ndërsa pajisjet dhe fushat e përdorura gjatë aktivitetit tashmë janë vënë në dispozicion të Federatës Shqiptare të Padelit.
“Ky është një nga shembujt e aktiviteteve dhe projekteve të qëndrueshme. Nuk janë evente të cilat kalojnë dhe nuk lënë asnjë gjurmë, por në këtë rast kemi një provë të prekshme. Inventari i turneut është kthyer në një qendër që i mbetet Tiranës”, tha ai.
Ministri vlerësoi gjithashtu angazhimin e Federatës Shqiptare të Padelit, e cila ka vënë në dispozicion truallin dhe ka realizuar punimet sistemuese dhe instalimet për krijimin e kompleksit.
Ai theksoi se qendra do të mundësojë zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme sportive, përfshirjen e fëmijëve dhe të rinjve, si dhe programe për pjesëtarët e federuar të këtij sporti.
“Padeli në Shqipëri po bëhet një realitet i prekshëm. Kjo është një qendër nën kujdesin e Federatës së Padelit dhe një realitet shumë pozitiv”, u shpreh Gonxhja.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Padelit, Erjon Keri vlerësoi mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit për organizimin e turneut dhe krijimin e infrastrukturës së re.
Ai tha se synimi i federatës është që kompleksi të shërbejë jo vetëm për sportistët aktualë, por edhe për promovimin e padelit te fëmijët dhe të rinjtë, përfshirë edhe nxënësit e shkollave.
“Sa më shumë fusha të hapen, aq më shumë do të ketë pjesëmarrje në këtë sport dhe aq më e hapur do të jetë e ardhmja e tij në Shqipëri, në Evropë dhe në botë”, u shpreh ai.
Në kompleks janë instaluar fusha të cilësisë së lartë për padel, ndërsa një tjetër risi është edhe krijimi i një fushe për pickleball, e cila, sipas përfaqësuesve të federatës, është e para e këtij lloji në Shqipëri.
Zëvendësministri i Sportit, Endrit Hoxha bëri të ditur se organizimi i turneut FIP Platinum u realizua përmes një kontrate të negociuar drejtpërdrejt nga ministria përgjegjëse për sportin me Federatën Ndërkombëtare të Padelit, ndërsa Federata Shqiptare e Padelit ishte pjesë e grupit të punës.
Ai theksoi se financimi i aktivitetit ishte kryer drejtpërdrejt për Federatën Ndërkombëtare të Padelit dhe se, sipas raportit përfundimtar të aktivitetit, rreth 50% e shumës së financuar, prej 2.2 milionë eurosh, është kthyer përmes pagesave dhe shpenzimeve të lidhura me organizimin.
“Besoj që vizioni i ministrisë ka qenë për suportimin e federatës jo vetëm me buxhete, por edhe me infrastrukturë”, tha Hoxha.
Gonxhja vuri në dukje edhe ndikimin ekonomik dhe turistik të turneut të zhvilluar në Tiranë, duke theksuar se aktiviteti solli jo vetëm promovim të sportit, por edhe akomodime në hotele, konsum, të ardhura dhe ekspozim ndërkombëtar të kryeqytetit.
Sipas tij, postimet dhe reagimet e sportistëve të huaj në rrjetet sociale kontribuan në promovimin e Tiranës dhe krijuan një imazh pozitiv për Shqipërinë si destinacion për aktivitete sportive dhe turistike.
“Festa të tilla, aktivitete të tilla i japin shumë vlerë qytetit dhe i japin interes turistik”, tha ministri.
Përfaqësuesit e federatës theksuan se synimi i tyre është të zgjerojnë bashkëpunimin me shkollat dhe të krijojnë grupe të reja të fëmijëve dhe të rinjve, pasi rritja e bazës së praktikuesve shihet si një nga sfidat kryesore për zhvillimin e padelit në Shqipëri.
Kompleksi i ri në Lundër pritet të shërbejë gjithashtu si hapësirë për turne, aktivitete sportive, evente kulturore dhe aktivitete me karakter turistik, duke krijuar mundësi për bashkëpunime të reja me sportistë nga rajoni dhe më gjerë.
Gonxhja u shpreh gjithashtu me shpresën që ligji i sponsorizimit në sport të bëhet realitet brenda vjeshtës, duke vlerësuar se një kuadër i tillë do të krijonte mundësi të reja financimi dhe përfshirjeje të biznesit në zhvillimin e sportit.
