Berisha: Dënoj shpalljen “non grata” të gazetarit shqiptar nga Maqedonia e Veriut

Nga D V
586 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 5 gusht, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dënoi sot shpalljen “non grata” të gazetarit shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Valon Bele, duke e konsideruar këtë një akt të rëndë kundër lirisë së shprehjes dhe medias.

Gjatë një konference për mediet, Berisha e vlerësoi Belen si një gazetar të njohur dhe ish-luftëtar të UÇK-së, duke theksuar se ai ka denoncuar publikisht veprimtarinë e kryeministrit Edi Rama dhe marrëdhëniet e tij me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

“Dua të dënoj me forcën më të madhe, shpalljen non-grata të gazetarit të shquar nga Maqedonia e Veriut, Valon Bele. Valon Bele është nga ata luftëtarë të lirisë, i cili nuk ka ndarë për idealet e lirisë, penën nga pushka. Është një gazetar i njohur, është gjithashtu një ish-luftëtar i UÇK-së”, tha Berisha.

Sipas tij, Valon Bele është një atdhetar i vërtetë dhe  të shpallësh një gazetar non grata se ai nuk pajtohet me qëndrimet antikombëtare, bën një atentat të rëndë kundër fjalës së lirë, kundër lirisë, mendimit dhe shprehjes së tij.

Berisha tha gjithashtu se organizatat shqiptare për mbrojtjen e gazetarit duhet të kishin reaguar.

“Është në turpin, në turpin e organizatave shqiptare të mbrojtjes së gazetarëve që nuk kanë ende asnjë prononcim. Në turpin e tyre tregon varësinë dhe kontrollin qeveritar. Ai është një gazetar shqiptar nga Maqedonia e Veriut, por dhe maqedonas po të ishte, i çdo kombësie po të ishte, t’i ndalosh hyrjen në Shqipëri pse kritikon kryeministrin, asnjë gazetar, asnjë shoqatë gazetarësh nuk mund dhe nuk duhet të pajtohet me këtë. U bëj thirrje organizatave ndërkombëtare të gazetarëve të ngrenë zërin e tyre kundër këtij akti antidemokratik, të dënueshëm, të kreut të narkoshtetit shqiptar”, tha Berisha.

Berisha komentoi edhe rastin e ndalimit të hyrjes në Shqipëri të imamit Bekir Halimin, duke u shprehur se nuk pajtohet me deklaratat e tij për rolin e grave në shoqëri, por shtoi se mendimet e shprehura nuk duhet të jenë shkak për ndalimin e hyrjes në vend.

“Dënoj gjithashtu edhe ndalimin e imamit, për faj, se paska thënë një fjalë që absolutisht nuk duhet ta thoshte. Por mendësia e tij nuk mund të jetë kurrë shkak për të ndaluar hyrjen në një vend ku vrasjet e grave janë më të shumta se në të gjithë Evropën të marra së bashku”, tha ai.

 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër