Prishtinë, 6 gusht, Zhurnal.mk – Vjosa Osmani i është rikthyer sot ulëses së deputetes në Kuvendin e Kosovës, pas pak më shumë se pesë vjet në krye të shtetit.
Osmani, e cila u zgjodh presidente në vitin 2021, po merr pjesë në seancën konstituive të Legjislaturës së XI-të si deputete e zgjedhur nga radhët e LDK-së në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Ky rikthim shënon një rast të veçantë në historinë parlamentare të Kosovës, pasi ajo është presidentja e parë që, pas përfundimit të mandatit presidencial, kthehet në Kuvend për të ushtruar funksionin e deputetes, ani se kjo mund të ndodh vetëm përkohësisht, në rast se zgjidhet sërish presidente.
Më herët, presidentët si Ibrahim Rugova, Fatmir Sejdiu, Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi nuk u rikthyen në Kuvend si deputetë pas përfundimit, ose ndërprerjes së mandatit të tyre. Ndërkaq, Behgjet Pacolli, i cili ushtroi detyrën e presidentit për një periudhë të shkurtër në vitin 2011, u rikthye më pas në Kuvend si deputet dhe vijoi aktivitetin e tij politik.
Osmani kishte qenë deputete dhe kryetare e Kuvendit para se të zgjidhej presidente, ndërsa rikthimi i saj në legjislativ vjen pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar në Presidencë, i cili i përfundoi në prill të këtij viti. /KosovaPress/
