Ministria e Mbrojtjes: Procedura për blerjen e tre avionëve zjarrfikës u zhvillua sipas ligjit

Nga D. V.
492 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 6 gusht, Zhurnal.mk – Ministria e Mbrojtjes reagoi sot ndaj deklaratave të Partisë Demokratike lidhur me procedurën e prokurimit për blerjen e tre avionëve për shuarjen e zjarreve, duke theksuar se procesi është zhvilluar në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar në fuqi.

PD deklaroi sot se kompania e shpallur fituese e tenderit, Air Tractor Europe S.L., është përfshirë në procese gjyqësore në Spanjë dhe kërkoi anulimin e tij.

Në një deklaratë publike, MM bëri të ditur “se çdo procedurë prokurimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë zhvillohet në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar në fuqi, mbi bazën e parimeve të ligjshmërisë, transparencës, konkurrencës dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë”.

Ministria e Mbrojtjes hodhi poshtë pretendimet se bëhet fjalë për një “tender të mbyllur”, apo për një procedurë të zhvilluar në kundërshtim me ligjin.

Ministria e Mbrojtjes sqaroi se në garë morën pjesë dy operatorë ekonomikë. Operatori fitues paraqiti ofertën me çmimin më të ulët, ndërsa operatori tjetër u skualifikua, pasi nuk plotësonte kriteret ligjore të kualifikimit, si edhe kërkesat për kapacitet ekonomik dhe teknik.

Në reagim thuhet se nuk është i vërtetë pretendimi se kompania fituese, AVIATION TRADE EUROPE, S.L., ndodhet nën ndalim për të kontraktuar me administratat publike.

Sipas Ministrisë, kompania ka paraqitur certifikatën e regjistrit penal që vërteton mungesën e çdo rekordi penal dhe gëzon të drejtën e plotë për të marrë pjesë në procedurat publike të prokurimit.

MM theksoi se pretendimet e referuara në media lidhen me një çështje gjyqësore në Spanjë, për të cilën vendimi nuk ka marrë ende formë të prerë dhe ndodhet në shqyrtim nga Gjykata e Lartë. Për rrjedhojë, sipas saj, ai nuk prodhon efekte juridike dhe nuk përbën bazë ligjore për përjashtimin e operatorit ekonomik nga procedurat e prokurimit.

Në deklaratë nënvizohet se kompania ka vijuar të kontraktojë me administrata publike të vendeve anëtare të NATO-s dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë ministrinë e Mbrojtjes të Qipros dhe ministrinë e Brendshme të Malit të Zi.

Ministria e Mbrojtjes e cilësoi investimin për sigurimin e kapaciteteve ajrore për shuarjen e zjarreve si një projekt me rëndësi strategjike për forcimin e sigurisë civile, mbrojtjen e jetës së qytetarëve, të pasurisë dhe të mjedisit, duke ritheksuar angazhimin për zhvillimin e çdo procedure në përputhje me ligjin dhe në interes të publikut.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër