Eric P. Wendt ambasador i SHBA-ve në Shqipëri, analisti Ben Andoni: Do të trazojë ujërat e politikës shqiptare

Nga Xh M
760 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 6 gusht Zhurnal.mk – Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar kandidaturën e Eric P. Wendt për postin e ambasadorit të SHBA-së në Shqipëri, duke i hapur rrugën emërimit të tij zyrtar në Tiranë.

Vendimi pritet të pasohet nga firmosja përfundimtare e presidentit amerikan Donald Trump, një procedurë që konsiderohet pjesë e procesit rutinë të emërimeve diplomatike. Duke komentuar zhvillimin për News24, analisti Ben Andoni u shpreh se roli i ambasadorit amerikan në Shqipëri sot është i ndryshëm nga ai i viteve të mëparshme, ndërsa theksoi se përfaqësuesi i ri diplomatik do të ketë përballë sfida që lidhen me politikën, ekonominë dhe interesat amerikane në rajon.

“Nëse flasim për kastën politike, do të flasim për ata që nuk janë më, siç është Partia e Punës. Por tani kemi PS dhe për PD. Ndërsa për ambasadorin, do të firmoset nga zoti Trump, pasi është diçka rutinore. Nuk mendoj se pesha e ambasadorit të vitit 2026 është e njëjtë me peshën e atij të vitit 90. Ambasadori amerikan në Shqipëri është i vetmi në Ballkanin Perëndimor, pasi në Beograd mendoj se duhet të jetë një ambasadë që ka një rol shumë të madh, për shkak se aty përplasen interesat ruse dhe ato kineze. Aty nuk ka ambasador. Ndërkohë mungon dhe në Kosovë, që është shtet i formuar nga SHBA.”, tha ai.

Andoni tha se në realitetin e sotëm politik të rajonit, ambasadorët amerikanë e kanë më të vështirë të ndikojnë drejtpërdrejt në politikat e brendshme të vendeve ku shërbejnë. “Të jemi të sinqertë për diçka, në momentin ku ka arritur Shqipëria, apo Kosova dhe Serbia, ambasadorët amerikanë e kanë më të vështirë të ndërhyjnë në politikat vendase. Besoj se zoti Wendt do të jetë i interesuar për biznesin amerikan, pasi interesat e Trump në hapësirën europiane janë më shumë ekonomike.”, pohoi analisti.

Sipas tij, çështjet e sigurisë në rajon, veçanërisht ato që lidhen me Kosovën dhe Serbinë, do të vazhdojnë të menaxhohen edhe përmes strukturave ndërkombëtare.

“Çdo problem që Kosova do ketë me Serbinë, do ta zgjidhë KFOR-i. Çfarëdo profesioni që do të ketë pasur ambasadori, ai plotëson detyrat që ka nga Departamenti i Shtetit. Ambasadori që vjen në Shqipëri, para se të vijë këtu, ka njohuri të shtetit amerikan.”, tha Andoni. Andoni theksoi se ambasadori i ri do të duhet të fokusohet edhe në çështje konkrete ekonomike dhe institucionale në Shqipëri, duke përmendur energjinë, telekomunikacionin dhe funksionimin e institucioneve.

“Ai njeh SPAK në pjesën demokratike, por do të duhet të punojë për problemet e energjisë dhe telekomunikacionit. Ne kemi nevojë për demokraci, që të jetojmë më mirë. Ai ecën sipas interesave të vendit të vet. Dhe interesat e tyre janë aq të mëdha sa Shqipëria jonë është aq e vogël.”, shtoi ai. Analisti u shpreh gjithashtu se ardhja e ambasadorit të ri mund të sjellë një qasje më aktive ndaj zhvillimeve politike në vend.

“Por duhet të them se këta ‘mistreca’ politikanë shqiptarë nuk do të jenë rehat. Ai do të trazojë ujërat e politikës shqiptare, pasi do të plotësohet administrata.”, tha ai. Sipas Andonit, një nga sfidat kryesore mbetet krijimi i një klime më të sigurt për investimet e huaja.

“Të huajt e kanë të vështirë që të investojnë energji pa fund për një vend që është si vrimë e zezë. Po të dini se sa para janë prishur të taksapaguesve të këtij vendi, si është shpërdoruar fjala e ambasadorëve të huaj, ndoshta nuk do të duhet të mundohen shumë këta diplomatë.”, pohoi Andoni.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër