Uashington, 6 gusht Zhurnal.mk – Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar mbylljen e pesë konsullatave dhe misioneve diplomatike në Azi, Afrikë, Amerikën e Veriut dhe Karaibe. Vendimi ka nxitur kritika, pasi vlerësohet se mund t’i krijojë hapësirë Kinës për të forcuar ndikimin e saj diplomatik.
Kongresi amerikan është njoftuar zyrtarisht për planin, i cili arsyetohet me uljen e shpenzimeve. Vendimi vjen pasi administrata e presidentit Donald Trump, i rikthyer në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2025, kreu një rishikim të marrëdhënieve dypalëshe me një numër të madh shtetesh, shkruan The Guardian.
Sipas dokumentit të dorëzuar komisioneve të Kongresit, do të mbyllen misionet diplomatike në Sent Xhorxh (Grenada), Nagoja (Japoni), Medan (Indonezi), Duala (Kamerun) dhe Vinipeg (Kanada).
Mbyllja e këtyre përfaqësive është pjesë e shkurtimit të veprimtarisë së Departamentit të Shtetit, të udhëhequr nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Vitin e kaluar, Departamenti largoi nga puna më shumë se 1.300 punonjës, prej të cilëve 246 ishin diplomatë dhe 1.107 nëpunës civilë.
Sipas Shoqatës Amerikane të Shërbimit të Jashtëm (AFSA), më shumë se gjysma e 195 posteve të ambasadorëve amerikanë në mbarë botën mbeten ende të paplotësuara. Kjo përfshin edhe vende kyçe si Gjermania, Kuba, Egjipti, Arabia Saudite dhe Pakistani.
Demokratët kanë kritikuar planin, duke paralajmëruar se vendime të tilla i japin mundësi Kinës të zgjerojë ndikimin e saj. Jeanne Shaheen, demokratja më e lartë në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit, deklaroi se Kina ka tashmë prani diplomatike në tre nga pesë vendet ku SHBA po mbyll zyrat.
“Pekini do ta shfrytëzojë këtë hapësirë për të vepruar kundër interesave amerikane,” tha Shaheen.
Ajo shtoi se shpenzimet vjetore për funksionimin e këtyre misioneve përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të buxhetit të Departamentit të Shtetit.
“A ia vlen vërtet të tërhiqemi nga vende ku Kina tashmë është aktive?”, u shpreh ajo.
Kina nuk ka mision diplomatik në Vinipeg, por është e pranishme në Sent Xhorxh, Nagoja dhe Medan. Ndërkohë, misioni amerikan në Sent Xhorxh, kryeqyteti i Grenadës, ka status ambasade, ndërsa zyra në Duala funksionon si degë e ambasadës amerikane.
