Prishtinë, 6 gusht Zhurnal.mk – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se takimi me kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kaluar në frymë të mirë, ndërsa ka bërë të ditur se diskutimet mes palëve do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Abdixhiku tha se në takimin e dytë pas zgjedhjeve të 7 qershorit, LDK-ja mori pjesë me vullnet të mirë dhe me synimin për t’i shmangur zgjedhjet e reja.
“Morëm pjesë në takimin e dytë pas 7 qershorit me vullnet të mirë, respektim të rezultatit zgjedhor dhe gatishmërinë si LDK për të shmangur zgjedhjet e reja. Kështu e respektojmë interesin e LDK-së dhe shtetin. Ishte takim i mirë, i mbarë. I trajtuam çështjet e ndryshimeve programore, politike dhe të ardhmeve strategjike. Do të përpiqemi edhe ditëve në vazhdim të kemi diskutime më thelbësore”, ka thënë Abdixhiku.
