VLEN: “Dyfytyrësia e Bujarit: Natën të vret, ditën të qan!”

Nga R.ZH
957 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 8 gusht, Zhurnal.mk – VLEN ka reaguar ndaj deklaratave të nënkryetarit të BDI-së, Bujar Osmani, lidhur me vendimin e Qeverisë së Shqipërisë për shpalljen “non-grata” të imamit Bekir Halimi dhe aktivistit Valon Bela.

VLEN thekson se Osmani po përpiqet të krijojë përshtypjen se po del në mbrojtje të Halimit dhe Belës, duke kërkuar rishikimin e vendimit të autoriteteve shqiptare.

“Hipokrizia e Bujarit i ngjan thënies popullore: ‘Natën të vret, ditën të qan’”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Sipas VLEN-it, Osmani dhe BDI-ja kanë pasur ndikim në vendimmarrjen e Tiranës dhe pretendohet se vendimi ndaj Halimit dhe Belës nuk do të ishte marrë pa ndikimin e tyre. VLEN, megjithatë, nuk paraqet prova konkrete për këto pretendime.

“Bujari dhe BDI-ja janë ata që ndikojnë drejtpërdrejtë te Qeveria e Tiranës për t’i shpallur armiqtë në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në komunikatë.

VLEN gjithashtu akuzon eksponentë të BDI-së se në të kaluarën kanë mbështetur idenë e përfshirjes së shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut në “listën e zezë” të Shqipërisë.

Në reagim përmendet edhe rasti “Monstra”, për të cilin VLEN ngre pretendime lidhur me qëndrimet e mëparshme publike të Osmanit dhe rolin e tij politik gjatë periudhës kur BDI ishte pjesë e pushtetit.

“Bujari, me urdhër të Jankullovskës, në disa media thoshte se Haki Aziri ishte zhdukur me vetëdëshirë, ndërsa në disa të tjera kërkonte hetim ndërkombëtar për rastet e montuara nga qeveritë ku edhe ai ishte ministër”, pretendon VLEN.

Në fund të reagimit, VLEN e lidh qëndrimin e Osmanit me rezultatin e zgjedhjeve në Çair, duke e cilësuar si shenjë të, siç thotë, “fundit të tij politik”.

“Klithmat e Bujarit në Facebook janë pasojë e pamundësisë për ta pranuar fundin e tij politik, pas humbjes së thellë në Çair”, thuhet në komunikatë.

VLEN e përmbyll reagimin me kritika ndaj BDI-së, duke pretenduar se me politikanë që mbajnë qëndrime të ndryshme në raste të ndryshme, kjo parti nuk ka perspektivë politike dhe do të qëndrojë gjatë në opozitë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër