Studentët presin takimin me ministrin e Drejtësisë

Nga D. V.
746 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 gusht, Zhurnal.mk – Besar Sejdiu nga Lëvizja Studentore Shqiptare ka reaguar lidhur me kërkesën e studentëve shqiptarë për mundësimin e dhënies së provimeve profesionale në gjuhën shqipe, duke kritikuar Ministrinë e Drejtësisë për, siç thotë, heshtje dhe mungesë të veprimit institucional.

Sejdiu thotë se prej më shumë se dy vjet e gjysmë studentët shqiptarë kërkojnë të njëjtën të drejtë, ndërsa sipas tij, kërkesa është e qartë dhe institucionet janë të njoftuara me të.

“Për më shumë se dy vite e gjysmë, studentët shqiptarë kërkojnë të njëjtën gjë: të drejtën për t’i dhënë provimet profesionale në gjuhën shqipe”, shkruan Sejdiu. Sipas tij, problemi nuk qëndron te paqartësia e kërkesës së studentëve, por te mungesa e vullnetit institucional për të ndërmarrë hapa konkretë.

“Kërkesa jonë është e qartë dhe nuk lë hapësirë për keqinterpretim. Ajo që mungon është vullneti institucional për të ndërmarrë hapa konkretë”, thekson ai. Sejdiu kritikon në veçanti Ministrinë e Drejtësisë, duke thënë se studentët kishin pritur që me ardhjen e ministrit të ri të zhvillohej një takim dhe të hapej dialog i drejtpërdrejtë për kërkesat e tyre.

Megjithatë, sipas tij, deri më tani kjo nuk ka ndodhur. “Që nga ardhja e ministrit të ri, përkundër pritshmërisë sonë për një takim dhe dialog të drejtpërdrejtë me studentët, Ministria e Drejtësisë ka zgjedhur heshtjen në vend të veprimit konkret”, shkruan Sejdiu.

Përfaqësuesi i Lëvizjes Studentore Shqiptare vlerëson se pas më shumë se dy vjet e gjysmë kërkesash, çështja nuk mund të arsyetohet më me mungesë kohe apo me pretendimin se institucionet nuk janë të informuara.

“Kjo nuk është më çështje e mungesës së kërkesave apo e mungesës së kohës. Është çështje e heshtjes dhe mungesës së veprimit institucional”, thekson Sejdiu. Ai njofton se studentët kanë vendosur ta publikojnë edhe kërkesën e tyre të plotë, me qëllim që, siç thotë, opinioni të ketë mundësi të shohë konkretisht se çfarë kanë kërkuar nga institucionet.

“Publikojmë kërkesën e plotë që të jetë e qartë çfarë kemi kërkuar dhe çfarë presim nga institucionet”, shkruan ai.

Në fund, Sejdiu dërgon një mesazh të drejtpërdrejtë për institucionet, duke theksuar se pas një periudhe prej më shumë se dy vjet e gjysmë studentët nuk presin më zotime, por hapa konkretë për realizimin e kërkesës së tyre. “Tani nuk kërkojmë më premtime. Kërkojmë veprim”, përfundon Besar Sejdiu nga Lëvizja Studentore Shqiptare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër