Kasami: Mbështetje financiare për gratë e prekura nga kanceri gjirit

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 tetor, Zhurnal.mk – Me rastin e Tetorit Rozë, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, mori pjesë në marshin ndërgjegjësues në Tetovë, ku së bashku me pjesëmarrësit shpërndanë fletushka informuese për rëndësinë e parandalimit dhe zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit. 

Me këtë rast, Kasami paralajmëroi se nga viti i ardhshëm Komuna e Tetovës do të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për gratë e prekura nga kjo sëmundje, duke theksuar se kujdesi dhe solidariteti ndaj tyre duhet të jenë angazhim i vazhdueshëm institucional dhe shoqëror.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, mori pjesë në marshin ndërgjegjësues të organizuar me rastin e Tetorit Rozë, duke përcjellë mesazhe për rëndësinë e kontrolleve parandaluese, zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit dhe mbështetjes së grave që përballen me këtë sëmundje. 

Ata shpërndanë fletushka nëpër qytet për vetëdijësim të grave në lidhje me kancerin e gjirit. Kasami theksoi se ndërgjegjësimi për shëndetin e grave nuk duhet të kufizohet vetëm në muajin tetor, por duhet të jetë një angazhim i vazhdueshëm i institucioneve dhe i gjithë shoqërisë. Ai bëri thirrje që gratë të mos i shtyjnë kontrollet shëndetësore dhe të këshillohen me kohë me mjekun, duke nënvizuar rëndësinë e kujdesit parandalues dhe të informimit të drejtë.

“Mbrojtja e shëndetit kërkon vëmendje të vazhdueshme, bashkëpunim ndërinstitucional dhe përgjegjësi nga secili prej nesh. Shënimi i Tetorit Rozë është një mundësi për të theksuar rëndësinë e kontrolleve parandaluese dhe zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit. Marshi i sotëm në Tetovë i kushtohet ndërgjegjësimit publik dhe mbështetjes së grave që përballen me këtë sëmundje. Përmes pjesëmarrjes sonë, shpërndarjes së materialeve informuese dhe mesazheve që përcjellim, bëjmë thirrje për kujdes më të madh ndaj shëndetit dhe këshillim në kohë me mjekun. Ky aktivitet është edhe shprehje solidariteti me gratë dhe familjet e tyre. Nevojat e tyre meritojnë vëmendje, mirëkuptim dhe mbështetje gjatë gjithë procesit të trajtimit. Si kryetar i Komunës së Tetovës, mbështes nismat për përmirësimin e shëndetit publik. Brenda kompetencave dhe mundësive të saj, Komuna do të vazhdojë të mbështesë aktivitetet informuese dhe ndërgjegjësuese, në bashkëpunim me institucionet dhe organizatat përkatëse. Detyrimet familjare dhe profesionale nuk duhet të bëhen arsye për shtyrjen e kontrolleve shëndetësore. Mbështetja e familjes dhe e të afërmve është e rëndësishme që çdo grua të gjejë kohën e nevojshme për shëndetin e saj. Po aq e rëndësishme është mbështetja gjatë përballjes me sëmundjen. Çdo grua meriton trajtim me dinjitet, respekt për privatësinë dhe mirëkuptim për vështirësitë që përjeton. Solidariteti dëshmohet përmes pranisë, ndihmës konkrete dhe kujdesit të vazhdueshëm. Shpreh vlerësimin për punonjësit shëndetësorë, për përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre. Falënderoj të gjithë pjesëmarrëset që mbështetën marshin e sotëm. Angazhimi ynë duhet të vazhdojë edhe pas përfundimit të Tetorit Rozë. Informimi, kujdesi parandalues dhe mbështetja për personat që përballen me sëmundjen janë përgjegjësi që kërkojnë përkushtim gjatë gjithë vitit. Mesazhi ynë është i qartë: mos i shtyni kontrollet shëndetësore. Këshillohuni me mjekun dhe ndiqni rekomandimet e tij. Kujdesi në kohë për shëndetin është përgjegjësi personale, ndërsa mbështetja është detyrim i të gjithëve ne.” tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës

Komuna e Tetovës nga viti i ardhshëm do të ketë mbështetje të drejtpërdrejtë financiare nga gratë e prekura nga kjo sëmundje. Kryetari Kasami rikonfirmoi përkushtimin e Komunës së Tetovës për të mbështetur, brenda kompetencave dhe mundësive të saj, nismat që kontribuojnë në përmirësimin e shëndetit publik dhe në rritjen e ndërgjegjësimit qytetar, në bashkëpunim me institucionet dhe organizatat përkatëse. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër