Shkup, 16 tetor, Zhurnal.mk – Kodi i ri Penal dhe Ligji për Procedurën Penale janë përfunduar dhe pritet t’i dërgohen Komisionit Evropian për vlerësim deri në fund të tetorit, njoftoi kryeministri Hristijan Mickoski.
Sipas tij, të hënën grupi i punës do të harmonizojë vërejtjet e fundit, përpara se dy dokumentet të dërgohen në Bruksel. Me këtë, Qeveria synon të përmbyllë një proces që ka nisur që në vitin 2019.
Mickoski theksoi se ligjet janë hartuar në përputhje me standardet evropiane, ndërsa vlerësimi përfundimtar i përputhshmërisë së tyre do të bëhet nga Komisioni Evropian.
Kryeministri përsëriti akuzat ndaj ish-qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së, duke pretenduar se ndryshimet e mëparshme të Kodit Penal u mundësuan funksionarëve t’i shmangen përgjegjësisë penale.
Sipas tij, këto ndryshime, të miratuara nën procedurën e flamurit evropian, dëmtuan sistemin e drejtësisë dhe vështirësuan ndjekjen penale të ish-zyrtarëve.
Deklaratat Mickoski i bëri gjatë përurimit të një shkolle të re në komunën e Gazi Babës, në Shkup.
