Marta Kos: KE-ja së shpejti do të paraqesë propozime për t’u përgatitur për një BE më të madhe

Nga Xh M
1,266 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 12 gusht Zhurnal.mk – BE-ja po përgatitet për një zgjerim të ri, por fillimisht duhet të forcojë rregullat brenda radhëve të saj. Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi sot për „Politico“ të Brukselit se Komisioni së shpejti do të paraqesë propozime për përgatitjen e një Unioni më të madh dhe konfirmoi se është e nevojshme të forcohet mbështetja nga të 27 vendet anëtare.

Sipas portalit të Brukselit, Komisioni Evropian po punon për ndryshimin e kushteve për anëtarët e rinj dhe pritet të publikojë propozime për përcaktim më të saktë të të drejtave të tyre, por edhe për mekanizma mbrojtës.

„Politico“: Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi për Playbook se Brukseli e njeh nevojën „për të forcuar mbështetjen politike nga të 27 vendet anëtare“ dhe konfirmoi se „Komisioni së shpejti do të paraqesë propozime se si të përgatitemi për një Union më të madh“.

Kjo do të përfshijë përcaktim më të saktë të të drejtave dhe detyrimeve të anëtarëve të rinj, si dhe mekanizma mbrojtës përmes të cilëve do t’u hiqej mundësia për të bllokuar vendimet nëse nuk i përmbushin detyrimet e tyre. Detajet përfundimtare ende nuk janë bërë publike.

Zyrtarë të lartë në Bruksel i thanë „Politico“-s se, megjithëse vendet anëtare deklarativisht mbështesin hapjen e dyerve të Evropës, vende si Franca, Gjermania dhe Holanda kanë kundërshtuar një zgjerim tepër të shpejtë. Sipas tyre, shqetësimi është se anëtarët e rinj mund të bllokojnë politika kyçe, siç ka ndodhur tashmë me Hungarinë gjatë qeverisjes së Viktor Orbanit.

„Politico“: „Ka një arsye pse procesi i zgjerimit zgjat me dekada“, deklaroi një diplomat nga një vend skeptik. „Frika është se do të fusim një kalë trojan.“

Berlaymonti po përgatit një propozim për ndryshimin e rregullave për anëtarët e rinj, i cili do t’u prezantohet liderëve të BE-së në takimin e Këshillit Evropian që fillon më 15 tetor, thanë për Playbook tre zyrtarë të lartë të përfshirë në këtë proces, duke folur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sipas informacioneve të portalit, tashmë po përgatitet për një përballje me kryeqytetet e BE-së dhe ka vetëm disa javë në dispozicion për t’i bindur ato se Unioni mund të menaxhojë rreziqet e një zgjerimi të ri.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër