Shkup, 14 gusht, Zhurnal.mk – Dita e djeshme ka qenë më e vështira në sezonin e sivjetshëm të zjarreve, sa i përket rrezikimit të drejtpërdrejtë të vendbanimeve, deklaroi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Stojançe Angellov.
Në një video-deklaratë, Angellov tha se gjatë ditës së djeshme janë regjistruar më shumë se 40 zjarre në hapësira të hapura, ndërsa dy prej tyre kanë paraqitur rrezik serioz për zonat e banuara.
Sipas tij, ekipet e zjarrfikësve dhe shërbimet kompetente kanë zhvilluar një betejë të vështirë me flakët në rajonin e Bogomillës, si dhe në tri fshatra të Pellagonisë, ku ekzistonte rreziku që zjarri të përhapej drejt shtëpive dhe objekteve të tjera.
“Dita e djeshme ishte më e rënda në këtë sezon të zjarreve nga aspekti i rrezikimit të vendbanimeve, sepse patëm dy zjarre alarmante”, deklaroi Angellov.
Ai informoi se aktualisht aktive mbeten gjashtë zjarre, por sipas vlerësimeve të autoriteteve, ato nuk paraqesin rrezik për vendbanimet dhe as nuk kërcënojnë pyje me vlerë të lartë.
Autoritetet apelojnë qytetarët të tregojnë kujdes maksimal gjatë lëvizjes në natyrë dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, pasi temperaturat e larta dhe kushtet e thata vazhdojnë të rrisin rrezikun për shpërthimin e vatrave të reja.
