Mickoski: Janë përmbushur të gjitha kushtet për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë, 26 gusht mund të fillojnë punimet

Nga R.ZH
1,463 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 gusht, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar intensifikimin e aktiviteteve ndërtimore në infrastrukturën rrugore, duke bërë të ditur se në periudhën e ardhshme do të fillojë realizimi i gjashtë segmenteve autostradash në të gjithë vendin.

Duke inspektuar punimet për fazën e parë të ndërtimit të sistemit të kanalizimit në Idrizovë, në komunën e Gazi Babës, Mickoski njoftoi se drejt fundit të muajit gusht pritet të nisë ndërtimi i autostradës Shkup–Bllacë.

“Drejt fundit të këtij muaji, ndoshta më 26 gusht, do të fillojë ndërtimi i segmentit të autostradës Bllacë–Shkup. Për këtë projekt, i cili është paralajmëruar prej një dekade, tashmë kemi kontraktor, kompani vendase, kemi mbikëqyrje dhe janë përmbushur të gjitha kushtet për fillimin e punimeve”, deklaroi Mickoski.

Ai bëri të ditur se në shtator pritet të fillojnë edhe punimet në segmentin autostradë Bukojçan–Kërçovë, ndërsa paralelisht do të intensifikohen aktivitetet për përfundimin e autostradës Kërçovë–Ohër.

Sipas kryeministrit, në gjysmën e dytë të muajit tetor pritet të nisë ndërtimi i segmentit Izvor–Vërbjan, ndërsa i gjithë projekti parashihet të përfundojë në tremujorin e parë të vitit 2027.

Mickoski theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit të infrastrukturës moderne rrugore, duke vlerësuar se projektet e reja do të përmirësojnë lidhjet ndërmjet rajoneve dhe do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër