Karakaçi inspekton punimet në autostradën Tiranë-Durrës: Synojmë përfundimin para afatit

Nga D. V.
704 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 17 gusht, Zhurnal.mk – Në autostradën Tiranë-Durrës po vijohet me fazën e tretë të punimeve për zgjerimin e aksit rrugor. Pas hapjes së gjashtë kilometrave të parë tashmë punimet janë përqendruar në segmentin nga mbikalimi i Rinasit në drejtim të Limuthit.

Po punohet me intensitet me mbushjen e trupit të rrugës, ndërsa kanë përfunduar punimet për muret mbajtëse.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, inspektuan nga afër punimet ku deri më tani janë realizuar afro 26% e tyre.

“Kjo fazë kontrate përfshin zgjerimin e trupit të rrugës në tre korsi plus një emergjence. Ndërkohë që përfshihet gjithashtu dhe mbikalimi në disnivel ose nyja në disnivel e Laknasit dhe ndërtimi i mbikalimit të ri të Kasharit, që do të jetë me strukturë metalike me gjatësi 94 m të gjatë”, tha Kozeli.

Hapja e gjashtë kilometrave të parë ka lehtësuar ndjeshëm lëvizjen qarkullimin e automjeteve, ndërsa po vijohet me fazën e tretë duke pasur objektiv përfundimin e saj brenda një kohe sa më të shpejt për ti dhënë një frymëmarrje lëvizjen edhe në këtë segment rrugor.

“Pas dy fazave që janë përmbyllur me sukses dhe që është e dukshme pasi trafiku është zhbllokuar me tre korsi deri në mbikalimin e Rinasit, tashmë jemi në punimet për përfundimin e zgjerimit deri në drejtimin e Limuthit”, bëri të ditur ministri Karakaçi.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë kërkoi që projekti të adresojë edhe shqetësimet e komunitetit dhe bizneseve që operojnë në zonë për të pasur akses në aksin rrugor. Sa i takon mbikalimeve për këmbësorët përgjatë gjashtë kilometrave të parë të autostradës, ministri tha se shqetësimi i ngritur nga banorët pak javë më parë tashmë ka gjetur zgjidhje.

“Kantieri është i mobilizuar. Të kemi në vëmendje përmbylljen aty ku kemi mundësi edhe të atyre problematikave që kanë ngritur banorët, aty te nyja e Rinasit, të vazhdohet me prioritet për sa i përket mbikalimeve që bëjnë edhe ndërlidhjen e banorëve dhe që ka qenë shqetësim i shtuar”, tha Karakaçi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër