Rita Ora ka ndarë me ndjekësit disa fotografi të reja nga vera e saj, duke sjellë momente nga pushimet në disa prej destinacioneve më të bukura të Evropës.
Këngëtarja 35-vjeçare publikoi të dielën në Instagram një seri fotografish, në të cilat shfaqet me bikini, përfshirë edhe disa momente nga udhëtimi i saj më i fundit në Ibiza, ku po pushon së bashku me bashkëshortin, Taika Waititin.
Çifti ka kaluar disa ditë në një jaht luksoz në shoqërinë e miqve, ndërsa Rita tërhoqi vëmendjen me paraqitjen e saj në një bikini të vogël ngjyrë argjendi, teksa pozonte në bord, shkruan DailyMail.
Në fotografi të tjera, këngëtarja shihet duke u freskuar në ujërat e detit. Rita zbuloi se disa prej këtyre momenteve janë realizuar me syze inteligjente Meta.
Në një tjetër fotografi, Rita shfaqet në skajin e jahtit, e veshur me bikini të zeza pa rripa dhe me pjesën e poshtme me një dizajn të ndryshëm, duke sjellë një tjetër pozë mjaft atraktive.
“Vera deri tani, pjesa e parë”, ka shkruar ajo në përshkrimin e fotografive.
Rita po shijon pushimet në jaht së bashku me bashkëshortin e saj, regjisorin Taika Waititi, si dhe mikeshën e saj Lady Mary Charteris, bashkëshortin e saj Robbie Furze dhe vajzën e tyre, Wilde Jessie Furze.
Këngëtarja ka shfrytëzuar në maksimum motin e ngrohtë spanjoll, duke u zhytur në ujërat e Mesdheut për të bërë snorkeling, përpara se të freskohej me një dush në bordin e jahtit.
Udhëtimi në Ibiza duket se ka qenë edhe një festë e dyfishtë për çiftin, pasi këtë muaj Rita dhe Taika festojnë përvjetorin e katërt të martesës. Ndërkohë, regjisori nga Zelanda e Re mbush 51 vjeç gjatë këtij muaji.
Rita aktualisht është e angazhuar me punën për albumin e saj të katërt, ndërsa së fundmi është rikthyer edhe në rolin e Mbretëreshës së Zemrave në filmin “Descendants”.
Pavarësisht se sot është një yll ndërkombëtar me një pasuri të vlerësuar në rreth 26 milionë funte, fëmijëria e Ritës ishte krejtësisht ndryshe.
Ajo lindi në Prishtinë, Kosovë, por familja e saj u largua nga vendi në fillim të viteve ’90, gjatë periudhës së përndjekjes së shqiptarëve etnikë.
Nëna e saj, Vera, ishte mjeke, ndërsa babai, Besniku, ekonomist. Pas mbërritjes në Mbretërinë e Bashkuar, familja mësoi gjuhën angleze dhe nisi një jetë të re.
Babai i Ritës ndryshoi profesion dhe filloi të drejtonte një pub, duke menaxhuar për vite me radhë Queens Arms Pub në Kilburn të Londrës. Ndërkohë, nëna e saj u rikualifikua dhe u bë psikiatre.
Në një intervistë të fundit, Rita ka folur hapur për fëmijërinë e saj si refugjate dhe për mënyrën se si ndihet kur diskutohet për emigracionin në Mbretërinë e Bashkuar.
“Gjithçka që di është se jam gjithmonë mirënjohëse për edukimin që kam marrë dhe krenare që jam emigrante”, ka thënë ajo për The Times.
“Mendoj se shumë emigrantë kanë një energji të veçantë. Ndoshta edhe një dozë të sindromës së mashtruesit, e cila i bën të gatshëm të përmirësojnë vazhdimisht veten”, është shprehur këngëtarja.
Ajo shtoi se edhe kur nuk bëhet fjalë për gjeneratën e parë të emigrantëve, në historitë familjare të shumë artistëve të mëdhenj mund të gjendet një histori emigracioni.
Kosova është një nga shtetet më të reja në botë dhe shteti më i ri në Evropë, pasi shpalli pavarësinë nga Serbia në shkurt të vitit 2008.







