Shkup, 18 gusht Zhurnal.mk – Numri i ankesave të operatorëve ekonomikë që kanë marrë pjesë në procedurat e prokurimeve publike në vitin 2025 është rritur për më shumë se 50 për qind krahasuar me vitet paraprake. Kjo thuhet në raportin vjetor të Komisionit Shtetëror për Vendimmarrje në Procedurat e Prokurimit Publik, i cili e cilëson këtë si një rritje të jashtëzakonshme, për të cilën edhe ky institucion nuk ka një shpjegim konkret, përveç konstatimit se „avokatët gjuajnë në ujëra të turbullta“.
Gjatë gjithë vitit 2025 janë dorëzuar 1.535 ankesa nga operatorët ekonomikë që nuk i kanë fituar tenderët, por kanë konsideruar se ata duhej ta merrnin kontratën publike.
Për krahasim, gjatë viteve 2024 dhe 2023 Komisioni kishte rreth 1.000 lëndë të pranuara, ndërsa në vitin 2022 ishin dorëzuar 837 ankesa.
Sipas Komisionit Shtetëror, rritja e numrit të ankesave lidhet me „respektimin transparent dhe konsekuent të dispozitave ligjore gjatë vendimmarrjes, me çka forcohet besimi i operatorëve ekonomikë dhe autoriteteve kontraktuese“.
Rritja prej 52 për qind e numrit të ankesave, sipas Komisionit, lidhet edhe me avokatët-përfaqësues, të cilët vetë iniciojnë dorëzimin e ankesave, me qëllim që më pas të arkëtojnë shpenzimet e përfaqësimit në rast se ankesa pranohet.
„Gjatë periudhës së analizuar është evidentuar se rritja e numrit të ankesave të dorëzuara në procedurat e prokurimit publik është rezultat i rritjes së numrit të ankesave nga të ashtuquajturit ‘ankues profesionistë’. Bëhet fjalë për subjekte që paraqesin ankesa lidhur me dokumentacionin e tenderëve, pa pasur qëllim real për të marrë pjesë në procedurën konkrete të prokurimit publik“, thuhet në raport.
Sipas Komisionit, aktiviteti i tyre është i orientuar drejt inicimit të procedurave ankimore me qëllim realizimin e të drejtës për kompensim të shpenzimeve për përfaqësim nga avokati në rastet kur ankesa pranohet.
„Kjo praktikë kontribuon në rritjen e numrit të përgjithshëm të procedurave ankimore dhe mund të ndikojë si në efikasitetin dhe dinamikën e zgjidhjes së lëndëve të ankesave para Komisionit Shtetëror, ashtu edhe në efikasitetin dhe dinamikën e realizimit të procedurave të prokurimit publik“, thuhet në raport.
Nga Komisioni shtojnë se në rritjen e numrit të ankesave ndikon edhe shuma e ulët e tarifës së pjesëmarrjes, e cila, sipas këtij institucioni, duhet të jetë më e lartë.
Për dorëzimin e një ankese paguhen nga 50 deri në 200 euro, në varësi të vlerës së parashikuar të tenderit.
Në vitin 2025 janë pranuar pozitivisht, përkatësisht janë miratuar 637 ankesa të dorëzuara nga pjesëmarrësit e pakënaqur në tenderë.
Komisioni në raportin e fundit vjetor nuk publikon se kundër cilave institucione shtetërore janë dorëzuar më së shumti ankesa gjatë realizimit të kontratave të prokurimit publik.
