Sulejmani: „Verë e Ohrit“ art që i bashkon njerëzit dhe kulturat

Nga D. V.
596 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 gusht, Zhurnal.mk – Ministri i Kulturës dhe Turizmit Sedat Sulejmani mbrëmë mori pjesë në koncertin me të cilin u përmbyll programi muzikor i edicionit të 66‑të të festivalit „Verë e Ohrit“.

Në fjalën e tij ai theksoi se festivali edhe këtë vit ofroi program të pasur dhe takime me artistë të shquar nga vendi dhe bota.

„Me paraqitjen e kuartetit „Glam“ nga Polonia dhe pianistit Sten Brekinrixh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përmbyllim programin muzikor të edicionit të 66‑të të festivalit „Verë e Ohrit“. Që nga nata e parë deri sot, Ohri ishte skenë ku u takuan kultura të ndryshme, tradita dhe shprehje artistike, nën qiell të hapur dhe në hapësira me histori shekullore. Kjo është thelbi i „Verës së Ohrit“ – përmes artit të lidhë njerëzit dhe të hapë horizonte të reja“, tha Sulejmani.

Ai u ndal te fillimi i edicionit të sivjetshëm të festivalit, i cili nisi me gala‑koncertin „Dashuri“, me paraqitjet e Ermonela Jahos nga Shqipëria dhe Çarls Kastronovos nga SHBA, në shoqërim të orkestrës së Operës dhe Baletit Kombëtar, nën dirigjimin e Marko Boemit.

„Ky edicion festivali la pas vetes numër të madh koncertesh, shfaqjesh dhe takimesh me artistë të shquar. Vizita rekord është vetëm konfirmim se publiku e njeh vlerën e festivalit dhe se kultura ka vend të rëndësishëm në shoqërinë tonë“, theksoi ministri.

Sulejmani nënvizoi se Ministria e Kulturës dhe Turizmit mbetet partner dhe mbështetje e festivalit, i cili për më shumë se gjashtë dekada është një nga shtyllat e jetës kulturore maqedonase.

„Detyra jonë është ta ruajmë këtë traditë, ta mbështesim cilësinë e lartë artistike dhe të krijojmë kushte që „Verë e Ohrit“ të vazhdojë të rritet, të zhvillohet dhe të jetë festival i hapur për të gjithë, për çdo gjeneratë, për çdo artist dhe për çdo dashamirës të artit“, tha Sulejmani.

Me koncertin u mbyll programi muzikor, ndërsa perdeja e edicionit të 66 të të „Verës së Ohrit“ do të ulet sonte me mjuziklin maqedonas „Kao kakao“, i frymëzuar nga muzika e Vllatko Stefanovskit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër