Shkup, 20 gusht Zhurnal.mk – Zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni ka bërë të ditur se, është vënë në funksion aplikacioni „Qytet i Sigurt“ për automjetet me targa të huaja
Ministria e Punëve të Brendshme njofton opinionin se është vënë në funksion ueb-aplikacioni me interfejs për pajisjet mobile „Qytet i Sigurt“, i cili në këtë fazë u dedikohet shtetasve të huaj, përkatësisht pronarëve dhe shoferëve të automjeteve me targa të huaja.
Përmes aplikacionit, shtetasit e huaj do të mund të marrin në mënyrë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë informacione për kundërvajtjet rrugore të evidentuara me sistemin „Qytet i Sigurt“, të kenë qasje në urdhërpagesat e dhëna për kundërvajtje, si dhe t’i paguajnë gjobat në mënyrë elektronike.
Gjatë hyrjes në aplikacion, shoferi duhet të fotografojë ose të skanojë dokumentin e tij të udhëtimit dhe të vendosë targën e regjistrimit të automjetit ose të automjeteve të cilat ai i përdor në vendin tonë.
Në këtë mënyrë, shoferët e huaj, automjetet e të cilëve do të evidentohen se kanë kryer kundërvajtje rrugore në territorin e të gjithë vendit, do të mund të informohen në kohë dhe në mënyrë të thjeshtë, si dhe të rregullojnë detyrimin e tyre, pa pasur nevojë për ndalime apo vonesa plotësuese në pikat kufitare.
Vendosja e aplikacionit paraqet një hap të rëndësishëm në digjitalizimin e shërbimeve që lidhen me sistemin „Qytet i Sigurt“.
Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon me avancimin e shërbimeve digjitale, ndërsa në fazat e ardhshme parashihet zgjerimi i funksionaliteteve edhe për kategoritë e tjera të përdoruesve.
Lidhja e aplikacionit:
safecountry.mvr.gov.mk
