Karakaçi: Mbi 600 MW kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme

Nga D V
624 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 21 gusht, Zhurnal.mk – Shqipëria ka përmbushur përpara afatit objektivin për mbi 600 MW kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme, ndërsa reformat në sektorin energjetik po vijojnë të japin rezultate konkrete.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, theksoi se rezultatet janë arritur përmes një sërë reformash që synojnë modernizimin dhe qëndrueshmërinë e sektorit.

“Reformat në sektorin e energjisë po japin rezultate konkrete”, u shpreh Karakaçi, duke renditur ndër prioritetet modernizimin e kuadrit ligjor, përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian, zhvillimin e energjisë së rinovueshme, uljen e varfërisë energjetike dhe krijimin e komuniteteve të energjisë.

“Gjatë këtij viti kemi përmbushur një sërë masash kyçe, duke modernizuar kuadrin ligjor dhe duke e afruar Shqipërinë me standardet e Bashkimit Evropian. Kemi ngritur sistemin e garancive të origjinës për energjinë e rinovueshme, i cili u ofron konsumatorëve më shumë transparencë mbi burimin e energjisë që përdor”, u shpreh ai.

“Gjithashtu, kemi miratuar rregulla të reja për etiketimin e produkteve me ndikim në konsumin e energjisë, duke i ndihmuar qytetarët të bëjnë zgjedhje më të informuara dhe më efiçente, në përputhje me të gjitha standardet e Bashkimit Evropian. Një nga hapat më të rëndësishëm ishte miratimi i Ligjit të ri për Sektorin e Energjisë Elektrike. Ky ligj forcon funksionimin e tregut të energjisë, rrit sigurinë e furnizimit dhe e afron vendin tonë me tregun evropian të energjisë. Po ashtu, kemi harmonizuar legjislacionin për biokarburantet, kemi thjeshtuar procedurat për investimet në energjinë e rinovueshme dhe kemi avancuar zbatimin e paketës së integrimit të tregut të energjisë me Bashkimin Evropian”, tha ministri.

Karakaçi vuri në dukje se, një tjetër arritje e rëndësishme është miratimi i Planit Kombëtar për adresimin e varfërisë energjetike, si dhe i kuadrit ligjor për komunitetet e energjisë, një masë e shumëpritur nga të gjithë vetëprodhuesit e energjisë. “Këto masa krijojnë më shumë mundësi për qytetarët, bizneset dhe pushtetin vendor që të jenë pjesë aktive e tranzicionit energjetik”, tha ai.

Sipas tij, një nga rezultatet kryesore është arritja para afatit e objektivit për mbi 600 MW kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme, duke forcuar bazën për një sektor energjetik më të diversifikuar dhe të qëndrueshëm.

“Këto rezultate i hapin rrugën edhe disbursimit të 61 milionë eurove në kuadër të Growth Plan dhe Reform Agenda”, deklaroi ministri, duke shtuar se fondet do të mbështesin investimet, zhvillimin ekonomik dhe procesin e integrimit evropian.

Karakaçi nënvizoi se puna do të vijojë me të njëjtin angazhim për forcimin e sektorit energjetik dhe përafrimin e mëtejshëm të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

“Puna jonë vijon me të njëjtin angazhim për një sektor energjetik më të fortë dhe një Shqipëri më pranë Bashkimit Evropian”, u shpreh ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër