Edhe në verë thithim ajër toksik: Zjarret do të „godasin“ shëndetin tonë

Nga Xh M
708 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 gusht Zhurnal.mk – Jo vetëm në dimër, por edhe gjatë verës thithim ajër të ndotur për shkak të zjarreve që shpërthejnë në pjesë të ndryshme të Maqedonisë. Tymi përhapet në distanca të mëdha dhe rrezikon shëndetin e njerëzve. Për shkak të ndryshimeve klimatike, rreziku nga zjarret është rritur dhe në të ardhmen kjo situatë e pafavorshme mund të bëhet edhe më e shpeshtë.

Ndryshimet klimatike dhe ndotja e ajrit janë të lidhura ngushtë dhe gjithnjë e më shumë duhet të trajtohen së bashku.

“Përveç burimeve të drejtpërdrejta të ndotjes, si trafiku, industria dhe ngrohja e amvisërive, ndryshimet klimatike mund ta përkeqësojnë më tej cilësinë e ajrit. Kjo ndodh përmes valëve më të shpeshta dhe më intensive të të nxehtit, thatësirave dhe zjarreve pyjore, por edhe përmes ndryshimeve të kushteve meteorologjike që ndikojnë në krijimin, transportin, shpërndarjen dhe largimin e ndotësve nga ajri”, thonë nga Qendra për Ndryshime Klimatike – Shkup.

Një nga lidhjet më të dukshme janë zjarret pyjore dhe ato të vegjetacionit. Temperaturat më të larta, periudhat më të gjata pa reshje dhe bimësia më e thatë krijojnë kushte që zjarret të shpërthejnë më lehtë, të përhapen më shpejt dhe të kontrollohen më vështirë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thekson se ndryshimet klimatike e rrisin rrezikun nga zjarret ekstreme, ndërsa tymi i tyre mund ta përkeqësojë ndjeshëm dhe papritur cilësinë e ajrit.

Veçanërisht problematike janë grimcat PM2.5. Tymi nga zjarret përbëhet nga një përzierje komplekse grimcash dhe ndotësish në formë gazi. Sipas OBSH-së, rreth 90 për qind e masës së përgjithshme të grimcave të emetuara gjatë zjarreve pyjore janë grimca me diametër deri në 2.5 mikrometra.

Për shkak të madhësisë së tyre të vogël, ato mund të depërtojnë thellë në mushkëri, ndërsa një pjesë mund të hyjë edhe në qarkullimin e gjakut. Për këtë arsye, ekspozimi ndaj tyre lidhet me pasoja serioze në sistemin respirator dhe atë kardiovaskular. Kur zjarret përfshijnë mbeturina, objekte, automjete ose materiale të tjera të prodhuara, në ajër mund të çlirohen edhe komponime toksike shtesë, metale të rënda dhe substanca të tjera të dëmshme.

Zjarri nuk duhet të jetë domosdoshmërisht pranë një zone të banuar për të ndikuar në cilësinë e ajrit. Tymi dhe ndotësit mund të transportohen për qindra, madje edhe mijëra kilometra, duke i kthyer zjarret në një rrezik rajonal dhe ndërkufitar për shëndetin publik.

Nga Qendra për Ndryshime Klimatike – Shkup theksojnë se faktor i rëndësishëm janë edhe stagnimi atmosferik, inversionet e temperaturës dhe qarkullimi i dobët i ajrit. Gjatë periudhave me erë të dobët dhe atmosferë stabile, ndotësit qëndrojnë më gjatë të përqendruar në ajër, pranë sipërfaqes së tokës.

Ky problem mund të jetë veçanërisht i theksuar në zonat e rrafshnalta të rrethuara nga male, ku relievi e kufizon më tej qarkullimin e ajrit. Kështu, edhe kur emetimet mbeten në nivele të ngjashme, kushtet e pafavorshme meteorologjike mund të shkaktojnë përqendrime më të larta të ndotësve.

Temperaturat e larta mund të kontribuojnë edhe në rritjen e përqendrimeve të ozonit në nivelin e tokës. Ndryshe nga ozoni në stratosferë, i cili na mbron nga rrezatimi ultravjollcë, ozoni në nivelin e tokës është ndotës i dëmshëm për shëndetin. Formimi i tij nxitet nga temperaturat e larta, rrezatimi intensiv diellor dhe kushtet atmosferike të stagnimit.

Rrezik shtesë paraqet ekspozimi i njëkohshëm ndaj temperaturave ekstreme dhe ajrit të ndotur. Analizat shkencore tregojnë se veprimi i përbashkët i këtyre faktorëve mund të paraqesë rrezik më të madh për shëndetin sesa ekspozimi ndaj secilit faktor veçmas.

Veçanërisht të rrezikuar janë fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje të frymëmarrjes dhe sëmundje kardiovaskulare, zjarrfikësit dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura.

“Ky është veçanërisht i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut, ku popullsia vazhdon të jetë e ekspozuar ndaj përqendrimeve të grimcave që tejkalojnë vlerat vjetore kufitare të BE-së, e veçanërisht nivelet e rekomanduara nga OBSH-ja. Valët më të gjata të të nxehtit, periudhat e thata, zjarret dhe kushtet e pafavorshme për shpërndarjen e ndotësve mund ta rrisin më tej presionin mbi shëndetin publik”, thonë nga Qendra.

Nga atje shtojnë se nevojitet parandalim dhe zbulim më i mirë dhe më i hershëm i zjarreve, monitorim i vazhdueshëm i PM2.5 dhe ozonit në nivelin e tokës, sisteme të paralajmërimit të hershëm, informim në kohë i popullsisë dhe rekomandime konkrete shëndetësore për grupet e rrezikuara.

Cilësi të dobët të ajrit stacionet matëse mbrëmë regjistruan në disa pjesë të Shkupit dhe në Shtip, ndërsa në pjesët e tjera cilësia e ajrit ishte e moderuar.

Ndërkohë, prej ditësh vijon të digjet në Mariovë, ku janë djegur edhe shtëpi të braktisura. Me zjarre gjatë kësaj vere janë përballur shumica e vendeve të rajonit.

Sipërfaqja e zonave të djegura në Evropë deri në fund të shekullit mund të rritet me 39 për qind, madje edhe në skenarin më të favorshëm klimatik, nëse nuk ndërmerren masa konkrete për menaxhim më efikas të zjarreve, tregon një studim i ri i publikuar nga „The Guardian“.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër