Shkup, 20 gusht, Zhurnal.mk – Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave (ESSH) tregojnë një realitet të tmerrues ku Maqedonia e Veriut përballet me mbi 110 mijë të papunë, prej të cilëve mbi 10 mijë janë me arsim të lartë. Brenda kësaj kategorie, rreth 600 janë magjistra dhe 20 doktorë shkencash. Këto të dhëna janë alarm për sistemin arsimor dhe për politikat e punësimit, sepse tregon se edhe kuadrot më të kualifikuara nuk po gjejnë vend në tregun e punës, shkruan Zhurnal.
Çfarë thonë statistikat për papunësinë?
Sipas ESSH, nga mbi 100 mijë të papunë në vend, mbi 10 mijë janë me arsimim të lartë. Brenda kësaj shifre, gati 600 janë kuadro me magjistraturë dhe rreth 20 janë doktorë shkencash. Gjysma e tyre janë nën moshën 39 vjeçare, pra bëhet fjalë për gjenerata të reja, të cilat pas viteve të studimit të avancuar nuk arrijnë të gjejnë punë.
Ky është një tregues i qartë se investimi në arsim nuk po përkthehet në mundësi reale për integrim në ekonomi. Në vend që të jenë motor i inovacionit dhe zhvillimit, këta profesionistë mbeten të papunë ose të detyruar të emigrojnë.
Pse kjo gjendje?
Së pari, mungesa e lidhjes mes sistemit arsimor dhe nevojave të tregut është shkaku kryesor. Fakultetet prodhojnë diploma, por jo profile që kërkohen nga ekonomia. Kjo krijon një hendek mes ofertës së kuadrove të kualifikuar dhe kërkesës së ulët për ta.
Së dyti, politikat e punësimit nuk janë aktive dhe nuk krijojnë hapësira për integrimin e kuadrove të larta në administratë, kërkim shkencor apo sektor privat. Pa projekte zhvillimore dhe pa stimulim të kompanive për të punësuar specialistë, magjistrat dhe doktorët mbeten jashtë sistemit.
Nuk duhet përjashtuar edhe mungesa e strategjisë afatgjate për inovacion dhe teknologji e bën vendin jo atraktiv për investime që kërkojnë ekspertizë të lartë. Pa energji të qëndrueshme, pa infrastrukturë moderne dhe pa politika të qarta për shkencën, kapitali intelektual nuk ka ku të shfrytëzohet.
Pasojat e mosfunksionimit
Kjo gjendje prodhon demotivim tek rinia, e cila humb besimin se arsimimi sjell stabilitet. Gjeneratat e reja shohin se edhe më të kualifikuarit mbeten pa punë, dhe zgjedhin emigrimin si zgjidhje. Ky është emigrim i trurit, që varfëron vendin nga kapitali më i vlefshëm ekspertiza shkencore.
Për më tepër, shoqëria humb besimin tek institucionet dhe tek politikat publike. Kur magjistrat dhe doktorët e shkencave nuk gjejnë punë, mesazhi që përçohet është se sistemi nuk shpërblen meritën dhe përkushtimin.
Kujtojmë që, vetëm përmes reformave në arsimin e lartë, me programe të lidhura ngushtë me nevojat e ekonomisë dhe me politika aktive të punësimit dhe integrim i kuadrove të larta në projekte zhvillimore Maqedonia e Veriut mund të kthejë investimin në arsim në motor të zhvillimit dhe të shmangë humbjen e gjeneratës më të arsimuar të saj. /Zhurnal.mk
