Shkup, 21 gusht, Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut gjendet në një gjendje të brishtë shëndetësore. Pas krizës së ujit në Gostivar, tashmë edhe “Ethet e Nilit” kanë filluar të marrin viktima, duke shtuar pasigurinë dhe panikun tek qytetarët. Në këtë atmosferë të tensionuar, kryeministri për herë të tretë paralajmëron zgjedhje të parakohshme. Pyetja që shtrohet në këtë momentum është se a janë këto zgjedhje një zgjidhje reale apo një përpjekje për të mjegulluar menaxhimin e krizave? shkruan Zhurnal.
Çfarë po ndodh me Ethet e Nilit?
Sëmundja e transmetuar nga mushkonjat ka goditur vendin duke shkaktuar viktima dhe duke nxjerrë në pah dobësitë e sistemit shëndetësor. Autoritetet janë kritikuar për reagim të ngadalshëm dhe mungesë të koordinimit, ndërsa qytetarët ndihen të pambrojtur. Kriza nuk është vetëm mjekësore, por edhe politike pasi çdo dështim në menaxhimin e situatës kthehet në humbje besimi ndaj institucioneve.
Në vend që të ofrohet një plan i qartë për parandalim dhe mbrojtje, komunikimi publik shpesh është i mjegullt. Kjo e bën krizën edhe më të rrezikshme, sepse mungesa e transparencës krijon terren për panik dhe mosbesim.
Zgjedhjet e parakohshme?
Deklaratat për zgjedhje të parakohshme nuk janë të reja kjo është hera e tretë që kryeministri përdor këtë taktikë. Por, kësaj radhe të gjitha partitë politike, përfshirë opozitën, kanë shprehur gatishmëri për zgjedhje.
Kryeministri Mickoski tha se nëse opozita kërkon zgjedhje para kohe, atëherë do të caktohet data. Opozita reagoi menjëherë dhe unanimisht janë gati për zgjedhje. Tani mbetet që kryeministri të tregojë nëse fjala e dhënë është e sinqertë apo thjesht një manovër për të zhvendosur vëmendjen nga krizat shëndetësore dhe ekonomike.
Kësisoji, mbetet të shihet nëse zgjedhjet e parakohshme do të mbahen siç u paralajmërua apo nëse deklarata ishte vetëm një provokim për opozitën. Në një vend ku qytetarët po përballen me “Ethet e Nilit” dhe me kriza të tjera të përditshme, përdorimi i “etheve të zgjedhjeve” si kurë politike mund të shihet si tentim për të mbuluar problemet e qeverisë.
Megjithatë, ajo që ka rëndësi nuk është data e zgjedhjeve, por aftësia e institucioneve për të ofruar siguri, shëndet dhe stabilitet për qytetarët. /Zhurnal.mk
