Sot shpallet vendimi për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Nga D V
750 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 24 gusht, Zhurnal.mk – Gjykata Themelore në Pejë, sot do të shpallë aktgjykimin ndaj Halil, Kreshnik dhe Kastriot Mehmetajt, të akuzuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan.

Seanca për shpalljen e aktgjykimit nis në orën 14:30.

Rasti ka të bëjë me ngjarjen e rëndë të 26 nëntorit 2021, kur një autobus që po qarkullonte në Gllogjan u qëllua me armë zjarri. Nga të shtënat mbetën të vrarë shoferi i autobusit, Gani Gjokaj, dhe dy nxënës 17-vjeçarë, L.H dhe G.M, ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur rëndë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, objektiv i sulmit ishte shoferi Gani Gjokaj.

Prokuroria pretendon se familja Mehmetaj e konsideronte Gjokajn përgjegjës për vetëvrasjen e vajzës së tyre, Heroina Mehmetaj, dhe se kjo kishte shërbyer si motiv për sulmin.

Sipas versionit të Prokurorisë, Kastriot Mehmetaj kishte dalë në rrugë përpara autobusit i armatosur dhe, pasi autobusi kishte ngadalësuar, kishte shtënë në drejtim të tij.

Më pas, sipas aktakuzës, ai ishte larguar në drejtim të Shaptej, ku e kishte pritur Kreshnik Mehmetaj me veturë. Halil Mehmetaj akuzohet se kishte nxitur dy djemtë e tij për vrasjen e Gjokajt.

Procesi gjyqësor është zhvilluar për disa vite dhe në korrik të këtij viti gjykimi u rihap pikërisht në ditën kur ishte paraparë shpallja e aktgjykimit.

Arsyeja ishte një videoincizim, i cili sipas gjykatës paraqet Kreshnik Mehmetajn duke shtënë me armë në një bjeshkë të Deçanit. Prokuroria pretendoi se arma e paraqitur në video mund të ishte arma e përdorur në kryerjen e krimit.

Pas administrimit të kësaj prove dhe përfundimit të shqyrtimit, Gjykata Themelore në Pejë e mbylli procesin dhe caktoi 24 gushtin në orën 14:30 për shpalljen e aktgjykimit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër