Shkup, 24 gusht, Zhurnal.mk – Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave zbulojnë një realitet të hidhur ku paga mesatare neto në Maqedoni në qershor ka rënë në 48.381 denarë, duke humbur 1.163 denarë krahasuar me majin. Ky ndryshim, edhe pse duket i vogël në shifra, ka një efekt të drejtpërdrejtë në buxhetin e familjeve, sidomos kur merret parasysh se inflacioni e ka ulur fuqinë reale blerëse me 1,9%. Në të njëjtën kohë, shporta sindikale e përllogaritur nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ka arritur në 68.675 denarë për gusht, duke u rritur edhe më tej. Kjo do të thotë se një familje mesatare ka nevojë për mbi 20.000 denarë më shumë sesa paga mesatare për të mbuluar nevojat bazë mujore. Ndërkaq, realiteti bëhet edhe më i trishtë ku shumica dërrmuese e qytetarëve janë me pagë minimale, shkruan Zhurnal.
Pabarazitë shkaktojnë kaos
Diferencat mes sektorëve e thellojnë krizën sociale. Në qershor, punëtorët në akomodim dhe gastronomi kanë marrë vetëm 34.200 denarë, ndërsa ata në informacion dhe komunikime kanë arritur në 88.262 denarë. Diferenca prej mbi 54.000 denarësh është dëshmi e një tregu pune të fragmentuar, ku një pjesë e madhe e punëtorëve mbetet nën nivelin e mbijetesës.
Në rajon, kontrasti është edhe më i dukshëm. Serbia ka vendosur që nga janari 2027 paga minimale të jetë 600 euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut ajo mbetet rreth 424 euro. Ky hendek jo vetëm që e bën vendin më pak konkurrues, por edhe shton presionin migrator, pasi punëtorët e kualifikuar dhe ata me paga të ulëta shohin mundësinë e largimit si zgjidhje të vetme.
Ulja e pagës mesatare, e kombinuar me rritjen e shportës sindikale, është një alarm i qartë qytetarët po varfërohen në mënyrë sistematike. Rritja nominale vjetore prej 6,4% nuk mjafton për të kompensuar rritjen e kostos së jetesës. Në fakt, çdo muaj që kalon, diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve bazë po bëhet më e madhe.
Ky realitet kërkon një debat serioz politik dhe institucional. Pa politika aktive për rritjen e pagës minimale, për mbrojtjen e fuqisë blerëse dhe për uljen e pabarazive sektoriale, Maqedonia e Veriut rrezikon të hyjë në një spirale të varfërisë së përhershme.
Kujtojmë që, ky realitet i trishtë nuk përmirësohet pa u marrë masa konkrete në këtë drejtim sepse duket që është një problem sistematik. Nuk mundet që paga mesatare të ulet, minimalja në vend, fuqia blerëse të ulet, e shporta sindikale të rritet. Kështu nuk shkon sepse dëshpërimi dhe revolta sa shkon e rritet më shumë. /Zhurnal.mk
