Pekin, 27 gusht, Zhurnal.mk – Autoritetet kineze kanë bërë të ditur se 260 nga 558 personat që rezultojnë ende të zhdukur pas rrëshqitjes së dheut në kufirin mes Nepalit dhe Tibetit janë shtetas të huaj.
Sipas të dhënave paraprake, deri mëngjesin e sotëm 558 persona rezultonin të zhdukur, mes tyre 260 shtetas të huaj, bëri të ditur CCTV, duke cituar zyrtarë lokalë gjatë një konference në Tibet.
Ndërkohë, Nepali ka raportuar se 468 turistë dhe udhëtarë rezultojnë ende të zhdukur, 393 prej të cilëve janë shtetas të huaj.
Katastrofa në kufirin Nepal–Tibet ka shkaktuar një situatë të rëndë humanitare, me më shumë se 1.300 persona të raportuar të zhdukur në të dyja anët e kufirit.
