Berisha: Të hiqet TVSH-ja për ushqimet dhe të vendoset minimumi jetik

Nga D V
708 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 31 gusht, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë rritur këtë vit 5.2 herë më shumë se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian.

Gjatë një deklarate për mediet, Berisha tha se qeveria shqiptare nuk ka ndërmarrë masa për të lehtësuar kostot për familjet.

Berisha solli si shembull Greqinë, ku, sipas tij, qeveria ka ndërhyrë për uljen e kostove të rreth 1600 artikujve, me reduktime që variojnë nga 5 deri në 30 për qind.

Sipas kreut të PD-së, rritja e çmimeve po rëndon veçanërisht familjet në nevojë.

“Ndërkohë, çmimet në Shqipëri, sipas statistikave më të fundit, çmimet e ushqimeve në Shqipëri u rritën këtë vit 5 herë më shumë se sa mesatarja e vendeve të BE. Dhe qeveria ka zero reagim. Çmimet pra janë rritur këtë vit krahasuar me rritjen mesataren të çmimeve të ushqimeve në BE, 5.2 herë më shumë. Dhe qeveria ndërmerr zero veprime”, tha ai.

Berisha prezantoi edhe disa nga masat që, sipas Partisë Demokratike, duhet të ndërmerren për të përballuar rritjen e kostos së jetesës.

Ndër propozimet e tij ishin heqja e menjëhershme e TVSH-së për ushqimet, subvencionimi i plotë i shpenzimeve shkollore dhe vendosja e minimumit jetik.

“Për PD-në është jetike heqja e menjëhershme e TVSH-së për ushqimet. Subvencionimi i plotë i të gjitha shpenzimeve për shkollën bazuar në parimin e arsimit falas.  Me Kushtetutë, arsimi është falas. Vendosja e menjëhershme e minimumit jetik. Këto masa ne i konsiderojmë masat më të domosdoshme për t’iu kundërvënë lakut të urisë, mjerimit dhe varfërisë që po shtrëngohet çdo ditë e më shumë në familjet shqiptare në nevojë”, tha Berisha.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër