Tiranë, 16 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se kryeministri Edi Rama po e çon vendin në një konflikt të gjerë. Në një deklaratë për mediet, Berisha tha se protesta e studentëve po shtrihet edhe në qytete të tjera të vendit.
Sipas tij, janë mbi 150 të ndaluar nga policia, qytetarë pa asnjë lidhje me ndonjë akt të veçantë të paligjshëm.
Gjithashtu Berisha tha se qeveria “dërgoi mbrëmë policë me mjete policie për të thyer xhamat, terrorizuar dhe hedhur spraj ndaj vajzave në konviktet e studenteve, akte këto tipike të diktaturave të bandës”.
“Në këtë mënyrë kryeministri Edi Rama po e çon vendin drejt një konflikti të gjerë”, tha ai.
Kreu i PD-së tha se në spitalet e vendit po trajtohen protestues me dëmtime në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, ndërsa iu referua edhe pamjeve që, sipas tij, tregojnë studentë të dhunuar.
Në fjalën e tij Berisha u bëri thirrje qytetarëve që “të mbështesin me të gjithë potencialin e tyre këtë lëvizje historike, bizneset e vogla duhet të solidarizohen me protestën, kjo revoltë duhet universalizuar”.
“PD u bën thirrje mbarë qytetarëve të mbështesin me të gjithë potencialin e tyre këtë lëvizje historike, këtë revoltë historike të studentëve të Tiranës dhe universiteteve të vendit, këtë revoltë historike shpëtimtare të mbarë rinisë shkollore dhe më gjerë”, deklaroi kreu i PD-së.
“PD u bën thirrje bizneseve të vogla që kanë te kjo parti, partinë e tyre, të gjejnë format dhe të shprehin solidaritetin e tyre të plotë me studentët në revoltë. PD i garanton ata se studentët nuk kanë urrejtje ndaj tyre. U bëj thirrje të gjitha shërbimeve publike të konsiderojnë rreshtimin e tyre me studentët. Është e një rëndësie jetike zgjerimi dhe universalizimi i kësaj greve, i kësaj revolte”, tha Berisha.
Ai tha gjithashtu se PD ka organizuar shërbim avokatie falas për çdo të ndaluar.
“Deputetët kanë qenë dhe janë non-stop në të gjitha narko-komisariatet, dhe do jenë në mbrojtje dhe mbështetje të studentëve”, tha Berisha.
