Tiranë, 16 tetor, Zhurnal.mk – Studentët dhe qytetarët kanë vijuar sot ditën e katër të protestës në Tiranë në shenjë pakënaqësie ndaj klasës aktuale politike në vend.
Ata u nisën nga drejtime të ndryshme për t’u mbledhur para Ministrisë së Arsimit sikundër edhe në protestat e mbajtur përgjatë këtyre tre ditëve.
Në disa rrugë, disa të rinj u ulën duke bllokuar qarkullimin për pak minuta te hyrja e rrugës “Myslym Shyri” sikundër edhe në akse të tjera
Në rrugën e Durrësit pranë Ministrisë së Arsimit, Komandanti i FNSH-së, Artur Prifti pati një bashkëbisedim me disa studentë të cilëve u kërkoi që mos të gjuajnë policinë, por të protestojnë paqësisht. Më pas, policia tërhoqi autobotin e ujit që bllokonte rrugën duke lejuar marshimin e të rinjve në drejtim të Sheshit Shqiponja.
Në rrugët kryesore të Tiranës një pjesë e bizneseve kanë ulur qepenat dhe është bllokuar qarkullimi i automjeteve.
Edhe protestës së sotme i janë bashkuar gjimnazistë, por edhe minorenë dhe sikurse shihet nga pamjet ka edhe individë të maskuar.
Gjatë marshimit nga Rruga e Kavajës në drejtim të kryqëzimit të “21 Dhjetorit” kanë nisur aktet e dhunës me shkatërrim të sinjalistikës rrugore.
Pas grumbullimit para Ministrisë së Arsimit të rinjtë hodhën parulla dhe kërkuan dorëheqjen e qeverisë, ndërsa më pas situata u tensionua pasi disa prej tyre nisën të godasin me gurë drejt godinës.
Policia përdori ujë me presion, gaz lotsjellës dhe spraj ndaj protestuesve duke i shpërndarë përkohësisht nga zona para ministrisë.
Gjatë tre protestave të fundit, nëpër Tiranë janë shënuar akte të rënda dhuna si dhe përplasje të forta me policinë. Protestuesit kanë djegur institucionet qeveritare, bizneset private si dhe kanë ndezur zjarre nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit duke shkaktuar kaos dhe rrëmujë.
