Tiranë, 16 tetor, Zhurnal.mk – Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, njëherësh kryetare e komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, ishte sot në Bllokun e Sigurisë për të parë nga afër gjendjen e të arrestuarve gjatë protestave në Tiranë.
Tabaku tha se në total janë 150 persona dhe se 17 të mitur janë shoqëruar mbrëmë.
Sipas saj të ndaluarit “në mënyrë çnjerëzore janë rrahur, janë tërhequr zvarrë, janë kapur vetëm duke ecur në rrugë”.
Tabaku theksoi se PD ka angazhuar një grup ekspertësh që po mbledhin provat dhe po përgatisim një dokumentacion për mënyrën antiligjore se si janë arrestuar të rinjtë dhe minorenët por edhe se si po trajtohen në një dhomë të vogël mbi 150 të arrestuar vetëm në këtë bllok.
“Avokatët e PD po ndihmojnë familjarët për përfaqësinë në gjyq! Ky sistem s’mund të tremb më askënd. Rruga e vetme është largimi i kryeministrit”, tha ajo.
“Partia Demokratike ka qenë në terren, ka qenë në komisariate, ka qenë në spitale, ka biseduar me të gjithë, ka siguruar dhe ndihmën ligjore dhe do të jemi atje për të mbrojtur të drejtat e tyre. Trajtimet çnjerëzore, trajtimet e të miturve të cilët ishin me shenja dhune, me të nxjerrë, me gjymtyrë të thyera nuk kanë për të kaluar pa u denoncuar dhe pa na pasur ne në krah atje”, tha ajo.
Ajo tha se ato që kanë ndodhur nëpër komisariate, janë të gjitha shkelje e të drejtave të njeriut.
