Morinë, 31 gusht, Zhurnal.mk – Një 36-vjeçar nga Prishtina është arrestuar në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, pasi tentoi të fuste kontrabandë në Shqipëri 691 fishekzjarre, me qëllim shitjen e tyre në Tiranë.
‘Gjatë kontrolleve në hyrje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare, bazuar në analizën e riskut, kanë kaluar për kontroll të imtësishëm automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin G. M.
Gjatë kontrollit në automjet u gjetën 11 kuti me gjithsej 691 fishekzjarre, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Sipas Policisë, 36-vjeçari dyshohet se synonte t’i kontrabandonte në territorin shqiptar për t’i shitur më pas në Tiranë’, tha policia.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin G. M., banues në Prishtinë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose kufizuara”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme./euronews/
