Shkup, 31 gusht, Zhurnal.mk – Që nga nesër, 1 shtator, zyrtarisht fillon punën linja e parë e projektit të ri “Treni Urban”, ndërsa promovimi zyrtar do të mbahet të mërkurën (2 shtator) me fillim në ora 11:00, informojnë nga Ministria e Transportit.
Në hapjen zyrtare është paralajmëruar prania e kryeministrit Hristijan Mucunski, zëvendëskryeministrit dhe ministrit të transportit Aleksandar Nikolovski, drejtorëve të NP Hekurudha Infrastrukturë dhe Hekurudha Transport, Sinisha Ivanovski dhe Dejan Koshutiq, si dhe kryetarëve të komunave Shkup, Zelenikovë, Kisella Vodë dhe Aerodrom.
Fillimi simbolik do të shënohet me udhëtim të të pranishmëve me tren nga stacioni hekurudhor Zelenikovë deri te Stacioni i Ri Hekurudhor në Shkup.
Linja e parë që hyn në funksion do të qarkullojë në relacionin Zelenikovë – Novo Zelenikovë – Oreshanë – Jane Sandanski – Draçevë – Lisiçe deri te Stacioni i Ri Hekurudhor Shkup. Transporti do të realizohet me tre trena në ditë sipas orarit të përcaktuar nga Hekurudha Transport, ndërsa para hapjes së saj u krye rikonstruksion i plotë i hekurudhës për rritjen e shpejtësisë së lëvizjes.
Sipas ministrisë përkatëse, projekti ka për qëllim të mundësojë transport publik urban më të shpejtë, më efikas dhe më të lirë për qytetarët nga pjesët periferike dhe qendrore të qytetit, dhe është i integruar edhe me orarin e JSP Shkup.
Nga Ministria e Transportit informojnë se paralelisht po punohet edhe në projektimin e dy linjave të mbetura – linja e dytë nga Stacioni i Ri Hekurudhor përmes Butelit dhe Shkup‑Veri deri në Gjorçe Petrov, si dhe linja e tretë nga Stacioni i Ri Hekurudhor përmes Autokomandës dhe Maçarit deri në Komunën e Ilindenit.
