Shkup, 31 gusht, Zhurnal.mk – “Me Ligjin për decentralizimin, shkollat janë të decentralizuara dhe janë në kompetencë të komunave. Por, sigurisht, si Ministri kujdesemi për mirëqenien e fëmijëve dhe rekomandoj, si gjithmonë deri më tani, se më së paku probleme ka atëherë kur respektohen ligjet”, deklaroi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e cila apeloi tek të gjithë që ta respektojnë ligjin dhe ta respektojnë reonizimin.
Në lidhje me transportin e nxënësve, të cilët për shkak të mbylljes së shkollave periferike do të duhet të ndjekin mësim në një shkollë më të madhe (qendrore), Janevska u përgjigj se kjo është obligim i komunave sepse MASH nuk siguron transport.
“Fëmijët do të mësojnë në shkollën më të afërt, nëse është mbi 2,5 kilometra, komunat do t’u sigurojnë transport. Kjo është e drejta e tyre e garantuar – transporti falas, kështu që këtu nuk do të kemi problem”, theksoi Janevska.
