Shkup, 2 shtator, Zhurnal.mk – Nga SDSM thonë se viti 2026 është viti më i keq për arsimin maqedonas që nga pavarësimi e deri sot, duke theksuar uljen e numrit të nxënësve të klasës së parë, shkollat e zbrazura dhe numrin e reduktuar të paralelkeve.
“Shifrat janë dërrmuese: 3.000 më pak nxënës të klasës së parë, 148 shkolla bosh, 433 paralelke më pak, ndërsa mbyllen edhe 26 shkolla të degëve”, theksojnë nga SDSM.
Nga partia vlerësojnë se fillimi i vitit shkollor kurrë nuk ka dukur “më i trishtuar” dhe e quajnë këtë “debakël i politikave të Mickoskit”.
“Maqedonia po humb nxënës të klasës së parë, shkollat po zbrazen, paralelket po zhduken, po e humbim të ardhmen”, thonë nga SDSM.
Sipas tyre, gjendja e keqe ekonomike, emigrimi dhe, siç theksojnë, bllokimi i rrugës evropiane janë ndër arsyet pse Maqedonia po i humb të rinjtë dhe fuqinë punëtore.
Nga SDSM e akuzojnë Qeverinë se në vend që të krijojë kushte që të rinjtë të mbeten në vend, dërgon mesazhe për “dhoma gjumi” dhe flet për import të “punëtorëve ekonomikë”.
“Ose siç thotë Mickoski në një intervistë të tij: ‘Hapësira e zbrazët në shtëpi do të duhet të plotësohet me punëtorë nga vendet e treta’”, citojnë nga SDSM.
Nga partia shtojnë se kjo, sipas tyre, është politika e Qeverisë – punëtorët maqedonas të zëvendësohen me punëtorë nga vendet e treta.
“E sot kjo u është e qartë të gjithëve”, qëndron në reagimin e SDSM.
