Miratohet nevoja e Ligjit të ri për raportimin, kontrollin dhe verifikimin e investimeve të huaja

Nga Xh M
1,065 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 2 shtator Zhurnal.mk – Në kuadër të seancës së 121-të plenare, Kuvendi pasditen e sotme përfundoi debatin për Propozim-ligjin për raportimin dhe verifikimin e investimeve të huaja direkte, i cili me 81 vota “për” u dërgua për lexim të mëtejshëm. Me këtë ligj rregullohen procedura për raportimin dhe verifikimin e investimeve të huaja direkte, me qëllim mbrojtjen e sigurisë kombëtare, rendit publik dhe interesave strategjike, si dhe përcaktohen kompetencat e institucioneve dhe organeve për zbatimin e dispozitave të këtij ligji. Seanca do të vazhdojë nesër në orën 14:00.

Me Propozim-ligjin do të vendoset një mekanizëm kombëtar për skrining të investimeve të huaja direkte, përmes të cilit do të kryhet raportimi dhe shqyrtimi i tyre në sektorë të përcaktuar rreptësisht si kritikë dhe të ndjeshëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nëse ekzistojnë indikacione serioze se realizimi i tyre mund të ketë ndikim negativ në sigurinë kombëtare, rendin publik dhe interesat strategjike të vendit tonë. Sipas zgjidhjes së propozuar ligjore, një investim i huaj direkt mund të realizohet vetëm pas marrjes së një vendimi pozitiv ose kushtimisht pozitiv nga Qeveria, për fitimin e të paktën 10 për qind të kapitalit themelor dhe/ose të së drejtës së votës, por në një vlerë jo më të vogël se 50.000 euro në një shoqëri tregtare, sektor ose infrastrukturë kritike, të përcaktuara konkretisht në nenin 8 të Propozim-ligjit.

Duke pasur parasysh se në vendin tonë nuk ekziston një ligj i veçantë apo akt nënligjor me të cilin përcaktohen sektorët e infrastrukturës kritike, me zgjidhjen e propozuar ligjore krijohet baza juridike që Qeveria, me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, të përcaktojë sektorët dhe llojet e infrastrukturës kritike, për qëllimet e përcaktuara me këtë Ligj.

Organi kompetent për raportimin dhe verifikimin e investimeve të huaja direkte sipas këtij ligji, propozohet të jetë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, e cila, pas një procedure paraprake konsultimi me institucionet kompetente (MB, MPB, MF, MEP, Ministria e Ekonomisë dhe Punës, ANB, BPRMV dhe të tjera), do t’i paraqesë propozim Qeverisë për të vendosur nëse një investim i caktuar duhet të lejohet, të lejohet me kushte të caktuara apo të refuzohet. Kundër vendimit të Qeverisë, investitori ka të drejtë të ngrejë kontest administrativ para gjykatës kompetente, në përputhje me Ligjin për Kontestet Administrative.

Deputeti Dimitar Kovaçevski nga LSDM-ja theksoi se e mbështesin një zgjidhje të tillë ligjore dhe se, për përmirësimin e saj, do të propozojnë amendamente të tyre. Vërejtjet e tij për këtë ligj, siç tha, nuk kanë të bëjnë me idenë e skriningit të investimeve të huaja, por përkundrazi, Maqedonisë i nevojitet një sistem modern, funksional dhe evropian për verifikimin e investimeve të huaja. “Vërejtjet e mia janë se propozuesi krijon një mekanizëm tepër të gjerë, tepër të centralizuar, me shumë diskrecion për pushtetin ekzekutiv dhe me garanci të pamjaftueshme për sigurinë juridike dhe institucionale”, tha Kovaçevski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër