Editorial / Cilat janë zgjidhjet për shoferët që transportojnë mallra në zonën Shengen!

Nga R.ZH
835 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 3 shtator, Zhurnal.mk – Të gjithë shoferët e kamionëve në Ballkan janë çuar në protesta për të kërkuar që BE-ja të gjejë zgjidhje për problemin e tyre. Me të drejtë ata kërkojnë që për shoferët që transportojnë mallra mos të ketë kufizime në hyrje dalje. BE-ja nga ana tjetër ende është e shurdhër dhe e ngulfatur në labirinthet administrative. Absurdi qëndron në faktin se nga njëra anë kërkohet integrim i Ballkanit në Evropë, e nga ana tjetër vendosen barriera shtesë për lëvizjen e lirë. Për shoferët duhet zgjidhje urgjente, ndryshe pasojat do të jenë të rënda për eksportin e vendeve të rajonit, por edhe për rritjen e çmimit të transportit në gjithë Evropën, shkruan “Zhurnal.mk”.

Shoferët protestuan në të gjithë qendrat e Ballkanit që janë jashtë BE-së!

Disa qindra shoferë kamionësh protestuan të hënën në Sarajevë, Beograd, Podgoricë dhe Shkup, përpara ndërtesave të delegacionit të Bashkimit Evropian.

Kompanitë e transportit kërkojnë që çështja e qëndrimit dhe punës së tyre në BE të zgjidhet, me kushte që do të përshtaten me specifikat e punës së tyre. Një nga kërkesat e tyre kryesore është që rregulli që lejon një qëndrim maksimal prej 90 ditësh brenda një periudhe 180-ditore të mos zbatohet për shoferët profesionistë.

Megjithatë, Komisioni Evropian nuk po njofton ndonjë ndryshim në rregullat e Shengenit për momentin, por e sheh përdorimin e mekanizmave ekzistues si një zgjidhje të mundshme, duke përfshirë vizat afatgjata, lejet e qëndrimit dhe marrëveshjet dypalëshe midis shteteve anëtare dhe vendeve nga vijnë shoferët.

BE-ja nuk e ka në mend të lëshojë pe!

Komisioni Evropian është i vetëdijshëm për problemet me të cilat përballen shoferët profesionistë të kamionëve nga Ballkani Perëndimor për shkak të rregullave mbi qëndrimin në zonën Shengen, por nuk planifikon t’i ndryshojë ato për momentin.

Komisioni deklaron se natyra e profesioneve të caktuara kërkon një qëndrim më të gjatë në zonën Shengen sesa 90 ditët e lejuara aktualisht në çdo periudhë 180-ditore. Përveç shoferëve profesionistë, profesione të tilla përfshijnë atletët dhe artistët që qëndrojnë jashtë vendit për turne dhe angazhime.

Rregulli që qytetarët e vendeve pa viza mund të qëndrojnë për një maksimum prej 90 ditësh në çdo periudhë 180-ditore ekzistonte edhe para futjes së Sistemit të EES-së. Megjithatë, sistemi i ri elektronik lejon regjistrimin më të saktë të hyrjeve, daljeve dhe kohëzgjatjes totale të qëndrimit, shkruan “Zhurnal.mk”.

Cila është zgjidhja!

Vizat afatgjata, lejet e qëndrimit dhe marrëveshjet dypalëshe me shtetet anëtare të BE-së mund të jenë si zgjidhje të mundshme.

Lëshimi i vizave dhe lejeve të qëndrimit afatgjatë janë përgjegjësi e shteteve anëtare të BE-së, dhe kjo mund të shqyrtohet si mundësi. Në raste të caktuara, të kufizuara, shoferët profesionistë mund të trajtohen gjithashtu si punëtorë ndërkufitarë.

Një model zgjidhjeje është mundësia që shoferët duhet të lidhin kontrata me kompani transporti të bazuara në BE (p.sh., në Slloveni, Kroaci apo Gjermani). Në bazë të këtij partneriteti ata duhet të nxjerrin viza pune për shoferët e tyre dhe me këtë leje qëndrimi ata përjashtohen nga limiti 90-ditor i zonës Shengen gjatë kohës që janë në kryerje të detyrës.

Disa shtete të BE-së që kanë mungesë shoferësh ofrojnë procedura të përshpejtuara për shoferët e Ballkanit Perëndimor. Kompanitë e transportit duhet të aplikojnë direkt përmes këtyre programeve kombëtare. Por, kjo zgjidhje është e kushtueshme, dhe i detyron kompanitë të paguajnë tatime për rroga, dhe kontribute shtesë.

Ajo që është me rëndësi është fakti se në përgjithësi qeveria duhet të mbulojë rrugët ku tradicionalisht operojnë transportuesit nga Maqedonia e Veriut. Këtu përfshihen vendet ku ka frekuencën më të lartë të transportuesve dhe me këto vende Qeveria dhe Ministria duhet të vendosin marrëveshje dypalëshe për viza afatgjata.

Maqedonia e Veriut duhet ta zgjidhë problemin në mënyrë të pavarur dhe mënyra më e lehtë dhe e vetme në këtë moment është përmes marrëveshjeve dypalëshe me vendet e zonës Shengen.

Aktiviteti i transportit është motori i ekonomisë së Maqedonisë së Veriut dhe për këto arsye ky biznes nuk duhet të ndalojë së funksionuari.

Disa zgjidhje mund të gjenden ende brenda sistemit ekzistues, veçanërisht përmes rregullave kombëtare dhe marrëveshjeve dypalëshe midis shteteve. Këtë gjë, Maqedonia e Veriut dhe shtetet e Ballkanit kanë filluar ta bëjnë, duke nënshkruar Marrëveshje dy palëshe veç e veç me disa shtete të zonës Schengen siç janë Kroacia, Rumania e Zvicra. Kjo duhet të ndodhë shpejt edhe me Gjermaninë dhe Austrinë, por koha nuk ecë në interes të shoferëve, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër