Revizioni zbardh kaosin me centralet fotovoltaike në RMV: Leje pa planifikim, dobësi ligjore dhe mungesë kontrolli

Nga D V
1,074 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 3 shtator, Zhurnal.mk – Në periudhën nga viti 2022 deri në maj të vitit 2025, sistemi i vendosur për lëshimin e lejeve për ndërtimin e termocentraleve fotovoltaike nuk ka siguruar përputhshmëri të plotë me ligjin, planifikim në kohë, veprim të koordinuar institucional dhe zbatim efikas të procedurave. Kjo thuhet në raportin e revizionit me temë “Efikasiteti i institucioneve në procesin e lëshimit të lejeve për burimet e ripërtëritshme të energjisë (BRE)”, transmeton Portalb.mk.

Edhe pse pas miratimit të Ligjit të ri për Energjetikën në maj të vitit 2025 është shënuar përparim në planifikimin e ndërtimit të kapaciteteve të reja për prodhimin e energjisë elektrike, revizorët kanë konstatuar se është i nevojshëm miratimi në kohë i akteve nënligjore, si dhe kryerja e mbikëqyrjes dhe monitorimit të duhur të mënyrës së zbatimit të dispozitave ligjore.

Në raport thuhet se deri në maj të vitit 2025, të gjitha centralet e reja diellore janë ndërtuar pa Planin Indikativ për ndërtimin e kapaciteteve nga burimet e ripërtëritshme të energjisë, ndonëse ai paraqiste bazën për planifikimin e kapaciteteve të reja prodhuese dhe përcaktimin e mundësive për lidhjen e tyre me sistemin elektroenergjetik.

Për shkak të një dobësie sistemike në Ligjin për Ndërtim, janë evidentuar raste kur komunat kanë miratuar ndërtimin e centraleve fotovoltaike, në vend që këtë ta bënte Ministria kompetente dhe Qeveria.

“Deri në nëntor të vitit 2024 nuk ishte përcaktuar qartë kompetenca e institucioneve për veprim në procesin e lëshimit të lejeve të ndërtimit, për shkak të një dobësie sistemike në Ligjin për Ndërtim, ku ndërtimet e paneleve fotovoltaike për prodhimin e energjisë elektrike që ndërtohen në tokë ishin klasifikuar si ndërtime të kategorisë së dytë, pa u përcaktuar fuqia e centralit elektrik, e cila është kusht për kategorizimin e ndërtimeve”, thuhet në raport.

Mes tyre kishte edhe leje për centrale me kapacitet prej 19 megavatësh dhe 174 megavatësh, të cilat ishin lëshuar në janar të vitit 2024, si dhe një leje për central me kapacitet prej 337 megavatësh, e lëshuar në dhjetor të vitit 2023.

Edhe pse Plani Vjetor i Ndërtimit për vitin 2026 ishte miratuar në kohë, madje 74 komuna nuk kishin përgatitur planet komunale energjetike, pasi ministria kompetente nuk kishte miratuar në kohë aktin nënligjor për metodologjinë dhe mënyrën e përmbushjes së kritereve sipas të cilave merret autorizimi për ndërtimin e objekteve elektroenergjetike. Për më tepër, nuk ishte formuar as Komisioni për dhënien e autorizimeve për objektet me kapacitet të barabartë ose më të madh se 1 megavat.

Revizorët kanë zbuluar edhe të dhëna të papërputhshme për kapacitetin në dokumentet e institucioneve të ndryshme. Janë lëshuar dy leje ndërtimi në bazë të një Ekstrakti të vetëm nga projekti urbanistik, ndërsa është konstatuar edhe diskriminim ndërmjet investitorëve sa i përket afateve dhe pagesës së detyrimeve për tokën ndërtimore.

Sipas revizionit, interesi më i madh për ndërtimin e centraleve fotovoltaike (CEF) është evidentuar në periudhën pas shfaqjes së krizës energjetike në vitet 2021 dhe 2022. Në atë periudhë, institucionet në nivel qendror dhe lokal u përballën me mungesë të stafit të trajnuar në fushën që rregullon mënyrën e ndërtimit të objekteve energjetike, procedurën për lëshimin e lejeve të ndërtimit të CEF-ve, përfshirë edhe mbikëqyrjen.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër