Prishtinë, 3 shtator, Zhurnal.mk – Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se gjashtë deputetët kundërshtues të kësaj partie “nuk bien në agjendat e askujt”.
Mustafa tha se të gjashtë deputetët i kanë qëndruar besnik LDK-së.
Ish kryetari i LDK-së, tha se nuk e ka përcjellë intervistën e Lumir Abdixhikut dhe refuzoi që të komentet deklaratat e tij.
“Nuk mund të përgjigjem për deklarimin e Abdixhikut. Nuk e kam përcjellë. Sa i përket deputetëve të LDK-së, nuk i njoh të gjithë. Por më ka rënë të punoj me deputetët e LDK-se që u shprehën kundër marrëveshjes me VV-në. Jo me deputeten Janina Ymeri, e cila, për sa po e përcjell, po tregohet shumë profesionale në fushën e saj dhe parimore në qëndrime politike. Me të tjerët nuk është se jemi pajtuar çdoherë. Janë njerëz që kanë bindjet dhe pikëpamjet e tyre. Të ditur, të arsimuar, nga mjedise që kanë dhënë shumë për Kosovën. Në mesin e tyre: Akademik, profesorë universitar, kryeministër, drejtues zëvendëskryeministër, nënkryetar i Kuvendit, ministra, kryetarë të komisioneve parlamentare… Janë që s’i bë rrotë askush. Janë njerëz që në esencë i kanë qëndruar besnik LDK-së. Vetëm kështu i njoh unë!”, tha Mustafa për rtv21.
Deklaratat e ish-kryeministrit Isa Mustafa pasuan akuzat e kryetarit aktual të LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili tha se 6 deputetët e LDK-së që kundërshtuan marrëveshjen me LVV-në po punojnë me agjendë të huaj brenda LDK-së.
