Tiranë, 3 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi sot se brenda disa javësh në “Pasqyrë Albania”, në një seksion të veçantë të quajtur “Flamingo Mirror” (Pasqyra e Flamingos), do të ekspozohet gjithçka që lidhet me Sazanin dhe Nartë-Pishë Poron.
Në fjalën e mbajtur para grupit parlamentar të PS-së dhe kabinetit qeveritar, Rama tha se “së shpejti kur them së shpejti çështje javësh është shfaqja e parë e “Pasqyrë Albania”, sepse është një punë goxha e madhe që po bëhet për ta ndërtuar gjithë këtë arkitekturë të re të bazuar tek inteligjenca artificiale”.
“Por shfaqja e parë e pasqyrës që do të jetë e disponueshme për të gjithë do të jetë një komponent i saj, i cili quhet “Flamingo mirror”, (Pasqyra e flamingos”, ku do të ekspozohen nga A-ja tek Zh-ja të gjitha aspektet e mundshme dhe të imagjinueshme që lidhen me një çështje me rëndësi të veçantë. Në rastin konkret tema e Sazanit dhe e Nartë-Pishë Poros, jo Nartë-Vjosës nuk ka Nartë-Vjosë, ky është një lajm i rremë, Nartë-Vjosa është në anën tjetër, Nartë-Pishë Poros do të jetë e gjitha ekspozuar me dokumentet përkatës, me të dhënat e procesverbalave, me statusin e negociatave, me referencat ligjore për të gjitha pikat e ngritura si problem dhe pastaj aty ajo do të pasurohet hap pas hapi me projektin, me studimin mjedisor, me gjithçka”, nënvizoi Rama.
Pra, shtoi Rama, cilido qoftë në shqip ose në anglisht, se kjo çështje ka një interes të madh edhe për anglishtfolësit, mund të futet aty dhe mund të gjejë aty gjithçka që lidhet me temë.
“Po, patjetër që “Flamingo Mirror” është një pasqyrë aktive, që do të thotë është aty e gjallë për t’iu përgjigjur pyetjeve. Dhe nëse ka diçka që nuk gjendet sipas dikujt aty, “Flamingo Mirror” ose duhet ta plotësojë ose duhet t’i japë përgjigje pse ajo nuk mund të kërkohet aty. Në këtë mënyrë do të ecim me të gjitha çështjet dhe me të gjithë projektet që kanë një interes të veçantë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “ndërkohë që çdo projekt për të cilin shpenzohet një shumë sado e vogël nga taksat e qytetarit do të jetë në pasqyrë përveç institucioneve dhe autoriteteve kontraktuale shpenzuese. Statusi i çështjes, qoftë kolektive, qoftë individuale, nuk mund të jetë një dekor, nuk mund dot që të mbetet vetëm te fjala në proces, duhet të japë më shumë dhëna. Nëse është me vonesë, thuhet që po jemi me vonesë. Nëse është i përfunduar jepet prova e përfundimit. Nëse është i pezulluar jepet arsyeja e pezullimit, nëse është i anuluar jepet vendimi i anulimit dhe historia mbetet aty nuk zhduket. Sepse një shtet që nuk mban mend ç’ka thënë dje nuk kërkon dot besim”.
Më tej, Rama tha se “”Pasqyrë Albania” nuk është një pasqyrë ku qeveria apo të tria pushtetet – edhe kur dy pushtete të tjera do të hyjnë në pasqyrë – shfaqen bukur përpara qytetarit. Është një pasqyrë ku qytetari e shikon qeverinë siç është. Një qeveri që nuk i duket bukur qytetarit në pasqyrë duhet të përballet me testin e aftësisë së vet dhe duhet të përballet me sfidën që të përmirësojë pamjen e vet, jo pasqyrën”.
