Deputeti dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të VMRO‑DPMNE, Mile Lefkov, akuzoi sot se SDSM dhe lideri i saj, Venko Filipçe, me qëndrimet e tyre për qendrat e të dhënave janë pozicionuar drejtpërdrejt kundër partnerit strategjik të Maqedonisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe kundër qëndrimeve të deputetit të tyre dhe ish‑kryeministrit Dimitar Kovaçevski.
Lefkov bëri paralelizëm me zhvillimet globale në këtë industri, duke theksuar se në krijimin e opinionit negativ në SHBA kundër qendrave të të dhënave janë përfshirë profile nga Kina.
“Venko Filipçe dhe mbetjet e SDSM, përveç se shpërndajnë gënjeshtra, manipulime dhe panik mes qytetarëve, për qendrat e të dhënave arritën të pozicionohen edhe kundër partnerit strategjik të Maqedonisë, SHBA, por edhe kundër qëndrimeve të bashkëpartiakëve të tyre. Në krijimin e opinionit publik në SHBA kundër qendrave të të dhënave janë përfshirë profile të shumta nga Kina. Kjo është e kuptueshme sepse SHBA është konkurrenti më i madh i Kinës në këtë industri”, deklaroi Lefkov.
Ai kujtoi deklaratat e djeshme të Dimitar Kovaçevskit, i cili publikisht mbështeti zhvillimin e kësaj industrie në vend.
“Filipçe gjithashtu u pozicionua në anën e kundërt me ish‑kryeministrin nga SDSM, Dimitar Kovaçevski, deputet aktual që qartë mbështeti idenë për zhvillimin e kësaj industrie. Kovaçevski dje publikisht i shpjegoi gjërat, mes tjerash edhe Filipçes, dhe tregoi përfitimet për Maqedoninë nga qendrat e të dhënave si kombëtare, ashtu edhe nga ato private të ardhshme”, shtoi Lefkov.
Deputeti përfundoi se Qeveria aktuale e udhëhequr nga VMRO‑DPMNE po ndjek politika për një shtet modern, standard më të lartë jetese dhe mjedis cilësor.
