Shkup, 3 shtator, Zhurnal.mk – Deputetja e Lëvizjes “Levica”, Jovana Mojsoska, reagoi ashpër në seancën e sotme të Kuvendit ndaj propozimit për heqjen e kushteve të posaçme për emërimin e drejtorit të Fondit për Sigurim Shëndetësor. Sipas saj, VMRO DPMNE në vend që të zgjedhë kuadro që i plotësojnë kriteret ligjore, po i ndryshon vetë kriteret për t’i mundësuar emërimin e kuadrit të saj partiak, Zllatko Perinski, në krye të një institucioni që menaxhon buxhet prej rreth 900 milionë euro.
Mojsoska kujtoi se me ligjin aktual, përveç kushteve të përgjithshme, drejtori i Fondit duhej të kishte arsim të lartë në fusha si menaxhment, shkenca ekonomike, financa, administratë biznesi, menaxhment në shëndetësi publike ose shkenca juridike.
“Vlerësoj që është skandaloze që po fshihen kushtet e posaçme të parashikuara edhe në Ligjin e vjetër për sigurim shëndetësor. Në vend që t’i precizojmë kriteret për emërimin e kuadrit, ne po lëmë një formulim të përgjithshëm që ekziston vetëm në Ligjin për funksionarë të lartë”, theksoi Mojsoska.
Deputetja shtoi se në vend që kriteret të përmirësohen dhe të bëhen më të qarta për një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit, po propozohet fshirja e tyre, gjë që sipas saj është e papranueshme.
