Kurti pret ish-ministrin gjerman të Mbrojtjes: Kontributi juaj në Kosovë ju vendos në anën e drejtë të historisë

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 3 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të enjten në takim ish-ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Rudolf Scharping, i cili këtë detyrë e ka ushtruar nga viti 1998 deri më 2002.

Kurti e ka falënderuar Scharpingun për rolin dhe kontributin e tij në koordinimin e veprimeve politike e ushtarake të Gjermanisë me shtetet e tjera të NATO-s gjatë ndërhyrjes së vitit 1999 në Kosovë.

Sipas Kurtit, Scharping i qëndroi pranë popullit shqiptar të Kosovës në një prej periudhave më të vështira.

“Denoncimi i planit ‘Patkoi’, sikurse vrasjeve, masakrave, spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve në luftën e fundit në Kosovë, krahas këmbëngulësisë në argumentimin për ndërhyrjen e NATO-s, janë qëndrime që ish-ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Rudolf Scharping, e vendosin në anën e drejtë të historisë përgjithmonë”, ka deklaruar Kurti.

Gjatë takimit është përmendur edhe libri i Scharpingut, “Wir dürfen nicht wegsehen: Der Kosovo-Krieg und Europa”, në të cilin ish-ministri gjerman dokumenton, përmes kujtimeve dhe shënimeve të tij, vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës dhe krimet e kryera nga regjimi i atëhershëm i Slobodan Millosheviqit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër