Cilat vende të BE-së i paguajnë më së shumti mësimdhënësit?

Nga Xh M
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 3 shtator Zhurnal.mk – Me nisjen e vitit të ri shkollor, debati për pagat e mësimdhënësve dhe mungesën e stafit është rikthyer në Evropë. Të dhënat e Eurydice tregojnë dallime të mëdha mes vendeve të Bashkimit Evropian, me Luksemburgun që kryeson për pagat e mësimdhënësve.

Pagat e stafit shkollor, veçanërisht të mësimdhënësve dhe drejtuesve të shkollave, përbëjnë shpenzimin më të madh në arsimin formal. Megjithatë, në shumicën e vendeve evropiane mësimdhënësit konsiderohen të paguar më pak në raport me nivelin e tyre të arsimimit.

Disa studime tregojnë se pagat fillestare të mësimdhënësve janë rreth 40 për qind më të ulëta se të ardhurat e profesionistëve të tjerë me arsim të lartë.

Në vitin shkollor 2024/2025, Luksemburgu ishte vendi i BE-së që i paguante më së shumti mësimdhënësit në shumicën e niveleve të arsimit, si në fillim, ashtu edhe në kulmin e karrierës, sipas Eurydice.

Në Luksemburg, pagat në fillim të karrierës varionin nga 55 mijë deri në 62 mijë euro në vit, ndërsa në kulmin e karrierës arrinin nga 97 mijë deri në 109 mijë euro. Holanda dhe Gjermania renditeshin pas tij, varësisht nga niveli i arsimit dhe faza e karrierës.

Në anën tjetër, Sllovakia, Çekia dhe Hungaria ishin vendet e BE-së që i paguanin më së paku mësimdhënësit në kulmin e karrierës. Në Sllovaki pagat varionin nga 18 mijë deri në 22 mijë euro, ndërsa në Hungari dhe Çeki arrinin deri në 27 mijë euro.

Mësimdhënësit në Greqi dhe Sllovaki kishin pagat më të ulëta në fillim të karrierës, me paga deri në 17 mijë euro në vit.

Sipas Eurydice, në 11 vende të BE-së mësimdhënësve u duhen nga 31 deri në 40 vjet për të arritur kulmin e karrierës, varësisht nga niveli i arsimit. Vetëm në Danimarkë dhe Finlandë kjo mund të arrihet brenda 10 vjetëve të punës.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se mësimdhënësit në Qipro, Portugali, Holandë dhe Slloveni kanë rritjen më të madhe të pagës nga fillimi deri në kulmin e karrierës.

Ndërkohë, Franca është ndër pesë vendet e BE-së ku pagat e mësimdhënësve nuk kanë arritur të mbajnë ritmin me koston e jetesës. Sipas Eurydice, ato ranë me 0,61 për qind ndërmjet viteve shkollore 2023/2024 dhe 2024/2025.

Të dhënat për pagat dhe renditjen e vendeve janë nga Eurydice, siç raportohen nga Euronews.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër