Prishtinë, 3 shtator Zhurnal.mk – Policia e Kosovës ka arrestuar një person nën dyshimin për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, ndërsa gjatë kontrolleve në dy lokacione në Prishtinë janë sekuestruar mbi 41 mijë euro dhe dëshmi të tjera materiale.
Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ka zhvilluar hetime lidhur me dyshimet për veprimtari të kundërligjshme të lojërave të fatit.
Gjatë hetimeve dhe grumbullimit të provave materiale është identifikuar i dyshuari, mashkull kosovar, ndaj të cilit është ngritur dyshimi i arsyeshëm se merret me veprimtari të kundërligjshme lidhur me veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, nga neni 294 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Më 3 shtator 2026 është lëshuar urdhëresë për kontrollimin e vendbanimeve të të dyshuarit, ku njësitë policore e kanë lokalizuar dhe arrestuar atë, si dhe kanë kontrolluar dy lokacione në pronësi të tij në Prishtinë.
Gjatë kontrollit në këto dy lokacione janë gjetur dhe sekuestruar 41 mijë e 655 euro para të gatshme dhe 20 franga zvicerane, dy telefona, USB, laptop, 10 vula të ndryshme, 49 kartela gërvishtëse, një veturë, si dhe dëshmi të tjera që ndërlidhen me rastin.
Pas përfundimit të procedurave, me vendim të prokurorit të çështjes, i dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë.
