Bardhi: Mali i Zi heq mburojën e korrupsionit, Rama i vendos pengesa drejtësisë

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 4 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi sot duke krahasuar mënyrën se si Mali i Zi dhe Shqipëria trajtojnë hetimin e korrupsionit në nivelet e larta të qeverisjes.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi e cilëson ndryshimin mes dy vendeve si një përballje mes “dy modeleve të sjelljes”, duke argumentuar se Mali i Zi po i jep më shumë hapësirë drejtësisë për të hetuar korrupsionin, ndërsa në Shqipëri, sipas tij, qeveria vendos pengesa.

Sipas tij, përparimi i Malit të Zi në procesin e integrimit evropian nuk lidhet vetëm me negociatat, por edhe me mënyrën se si funksionon drejtësia dhe lufta kundër korrupsionit.

“Dy shtete, dy modele sjellje: Mali i Zi heq mburojën e korrupsionit, Rama e forcon dhe e mbron. Dallimi mes Kryeministrit të Europës në Mal të Zi dhe Kryeministrit në Shqipëri është si dita me natën. Njëri i jep çdo liri drejtësisë për të hetuar korrupsionin, tjetri i vendos pengesa ligjore. Prandaj sot nuk ka rëndësi vetëm kush është më përpara në negociata, Mali i Zi apo Shqipëria. Ka rëndësi pse Mali i Zi është më përpara”, tha ai.

Bardhi tha se qeveria po e përdor imunitetin si “mburojë të korrupsionit”, ndërsa e vë theksin te nevoja që drejtësia të ketë mundësi të hetojë pa pengesa.

Ai theksoi se e ardhmja evropiane e Shqipërisë nuk duhet të kushtëzohet nga interesat personale të kryeministrit.

“Por Shqipëria nuk ka pse të mbahet më peng nga halli personal i Edi Ramës dhe nevoja e tij për t’u mbrojtur nga drejtësia. Shqipëria nuk ka pse të paguajë për hallin personal të Edi Ramës me të ardhmen e saj europiane. Sot, interesi i vendit është të ecë përpara. Dhe për këtë, Edi Rama duhet të largohet”, shkruan ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër