Shkup, 7 shtator, Zhurnal.mk – Në vitet e ardhshme Maqedonia duhet të kthejë afër 8 miliardë euro obligime financiare të marra në periudhën kur në pushtet ishin LSDM dhe BDI, deklaroi në konferencën e sotme për shtyp Biljana Kuzmanoska, deputete nga radhët e VMRO‑DPMNE.
Kuzmanoska theksoi se borxhet që vijnë për pagesë nuk janë krijuar nga shumica parlamentare aktuale, por janë trashëgimi nga udhëheqja e mëparshme.
“Vetëm këtë vit kthehen rreth 1,5 miliardë euro. Në vitin 2027 duhet të kthehen edhe 1,5 miliardë euro, në vitin 2028 rreth 1,9 miliardë, në vitin 2029 rreth 1,3 miliardë, ndërsa në vitin 2030 edhe 1,4 miliardë euro. Këto janë afër 8 miliardë euro, borxhe që i la LSDM, e nuk e dimë për çfarë i shpenzuan. Nuk mund të menaxhosh shtetin për shtatë vjet, ta ngarkosh me borxhe dhe të marrësh obligime financiare, e pastaj nga opozita të sillesh sikur borxhin e ka bërë dikush tjetër”, tha Kuzmanoska.
Ajo i krahasoi treguesit ekonomikë aktualë me ata të qershorit 2024, duke theksuar se borxhi publik shënon ulje si përqindje nga produkti i brendshëm bruto (PBB).
“Kur Qeveria e udhëhequr nga VMRO‑DPMNE mori përgjegjësinë në qershor 2024, borxhi publik ishte mbi 60 për qind të PBB. Sot borxhi publik është 58,8 për qind të PBB. Nga njëra anë i kthejmë borxhet që i kemi trashëguar, e nga ana tjetër borxhi publik si përqindje nga PBB është më i ulët se niveli që e gjetëm. Paralelisht, ekonomia maqedonase sot shënon rritje prej 4,3 për qind”, shtoi deputetja.
Kuzmanoska e përfundoi konferencën për shtyp duke drejtuar pyetje ndaj opozitës për shpenzimin e mjeteve publike.
“Kur LSDM herën tjetër të flasë për borxhin publik, le të përgjigjet për çfarë e ngarkuan shtetin me 4,5 miliardë euro vetëm për 7 vjet? Për jaht, banesë në Dubai apo aksione në kompani ajrore indiane? Nuk jemi të njëjtë. Dallimi është i dukshëm”, përfundoi Kuzmanoska.
